FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një nga vendimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm ka qenë edhe angazhimi i FSK-së në patrullime dhe vëzhgim të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovës.
Kryeministri Kurti ka theksuar se patrulla të FSK-së janë vendosur në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.
“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka theksuar se FSK-ja është angazhuar në patrullim dhe sigurim të pikave kyçe të infrastrukturës kritike të Kosovës, për t’i mbrojtur ato nga çfarëdo rreziku dhe nga çdo forcë armiqësore ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, i vizituam pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura përgjatë kanalit të ujit në regjionet e Obiliqt dhe Vushtrrisë, për të biseduar me pjesëtarët e Forcës të angazhuar në to”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, këto detyra të FSK-së rrjedhin nga vendimet e marra në takimin e fundit të Këshillit të Sigurisë, për angazhimin e Forcës në mbështetje të autoriteteve civile.
Ai ka shkruar se komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë zhvilluar procese të planifikimit për angazhimin e njësive në pika kyçe të infrastrukturës kritike fizike në Kosovë.
“Institucionet e sigurisë e Republikës së Kosovës, janë në koordinim ndërinstitucional të plotë dhe të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur nevojave të mbrojtjes së shtetit dhe qytetarëve tanë si dhe sfidave të ambientit të sigurisë. Pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, Forca e Sigurisë së Kosovës ka shtuar angazhimin e saj në përgjigje të përmbushjese së misionit të saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në mbështetje të autoriteteve civile”, ka shkruar ministri.