FPPK zhvillon takime me ITTF dhe ETTU për avancimin e pingpongut në Kosovë
Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK), e udhëhequr nga Kryetari Jeton Oruçi, ka zhvilluar këtë javë dy takime të rëndësishme me Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut (ITTF) dhe Unionin Evropian të Pingpongut (ETTU), me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit të pingpongut në Kosovë.
Në takimin me Presidenten e ITTF, Petra Sörling, Sekretarin e Përgjithshëm Raul Calin dhe përfaqësuesit e FPPK-së, u diskutuan mundësitë për financimin e programeve zhvillimore, bursa për sportistët, trajnime të avancuara për trajnerët dhe gjyqtarët, si dhe organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë. Po ashtu, u theksua harmonizimi i aktiviteteve të FPPK-së me praktikat më të mira të ITTF, si dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030.

Në takimin tjetër me Presidentin e ETTU, Pedro Moura, u diskutua përfshirja e Turneut Ndërkombëtar “Prishtina Open” në kalendarin e ETTU, duke e shndërruar atë në turne poentues për rritjen e pjesëmarrjes së sportistëve evropianë në Kosovë. Gjithashtu, u planifikuan dy projekte për trajnerë dhe gjyqtarë gjatë vitit 2025, me mbështetjen e ETTU.
Këto takime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt afirmimit të pingpongut kosovar në arenën ndërkombëtare, duke hapur rrugën për projekte të reja dhe ngritjen e kapaciteteve për sportin në vend. /Kosova.info/
