FPPK përmbyll punëtorinë zhvillimore në Shëngjin, cakton prioritetet strategjike deri në vitin 2030

Federata e Pingpongut e Kosovës ka përmbyllur me sukses punëtorinë zhvillimore, e cila u mbajt në Shëngjin nga 29 deri më 31 gusht, me pjesëmarrjen e kryetarëve, trajnerëve dhe përfaqësuesve të klubeve të pingpongut nga mbarë vendi.

Punimet e punëtorisë u hapën nga kryetari i Federatës, z. Oruçi, dhe u zhvilluan në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Zhvillimit të Federatës së Pingpongut. Gjatë saj u trajtuan pesë shtylla kryesore: ngritja e cilësisë; ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm me qeverisje të mirë dhe integritet; përmirësimi i organizimit të garave vendore e ndërkombëtare; diplomacia sportive përmes pingpongut; si dhe masovizimi i këtij sporti në shkolla dhe komunitet.

Një nga qëllimet kryesore të punëtorisë ishte edhe thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër, të dy bordet ekzekutive diskutuan për të ardhmen e pingpongut dhe planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta për periudhën 2025–2030 duke përfshirë organizimin e Ligës së Përbashkët dhe garave mbarëkombëtare.

Në ditën e parë u fokusuan diskutimet për organizimin e kampionateve dhe sistemin e garave, rritjen e numrit të kampeve dhe grumbullimeve, projektet zhvillimore afatgjata, regjistrimet dhe afatet kalimtare, si dhe shtrirjen e pingpongut në shkolla për të zbuluar talente të reja. Ditën e dytë, vëmendja kryesore ishte tek ndryshimet statutore dhe ri-organizimi i Federatës, si dhe gjetja e sponsorizimeve dhe burimeve të qëndrueshme të financimit.

Anëtarët e Federatës duke punuar në grupe, i konkretizuan diskutimet në pesë objektiva strategjike që do të pasohen me masa e veprime të detajuara në Planin e Veprimit të Strategjisë.

Federata e Pingpongut e Kosovës ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe diskutimet e frytshme duke theksuar se aktivitete të tilla do të vazhdojnë për të forcuar edhe më shumë zhvillimin e këtij sporti në vend. /Kosova.info/


Go to TOP