Forumi i Dytë Konsultativ: Kryeprokurorët e Ballkanit forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar
Nën organizmin e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (EUROJUST) është mbajtur në Tiranë Forumi i Dytë Konsultativ i kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë forum morën pjesë Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), z. Blerim Isufaj, si dhe prokurorët e PSRK-së: znj. Ilirjana Çollaku–Tafa, z. Milot Krasniqi dhe z. Rafet Halimi.
Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga nikoqirët e ngjarjes: Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Olsian Çela; Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), z. Altin Dumani; Presidenti i EUROJUST-it, z. Michael Schmid dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato. Më pas, pjesëmarrësit vijuan me diskutimet ndërmjet kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, vlerësoi këtë forum si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në luftën efektive kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera ndërkufitare. Ai falënderoi EUROJUST-in për mbështetjen profesionale dhënë prokurorive të rajonit, mbështetje kjo, e cila ka qenë vendimtare për rritjen e efikasitetit në ndjekjen e veprave penale që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.
Nga ana e tij, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, theksoi ndikimin pozitiv të bashkëpunimit me EUROJUST-in, duke veçuar rritjen e ndjeshme të numrit të ekipeve të përbashkëta hetimore me prokuroritë e vendeve të rajonit dhe më gjerë. Ai theksoi se këto ekipe kanë qenë thelbësore në luftimin e grupeve kriminale.
Kryeprokurori Isufaj gjithashtu theksoi se, pavarësisht sfidave, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndërtuar ura bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe shtetet partnere, duke mundësuar avancimin e mëtejmë të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve transnacionale.
Ky forum, i organizuar në kuadër të Projektit të EUROJUST-it për Drejtësinë Penale për Ballkanin Perëndimor, kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkufitar dhe shkëmbimin e përvojave praktike në fushën e drejtësisë penale. Përmes këtij formati, synohet nxitja e hetimeve më efikase përmes krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të inteligjencës ndërinstitucionale, ndarjes së praktikave më të mira dhe forcimit të përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
