Formula 1 rikthehet në Turqi nga 2027
Formula 1 do të rikthejë Çmimin e Madh të Turqisë në kalendar duke nisur nga viti 2027, me një marrëveshje fillestare prej të paktën pesë vitesh.
Lajmi u bë publik gjatë një ceremonie zyrtare në Stamboll.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e cilësoi rikthimin e garës si një moment të rëndësishëm për vendin, duke theksuar ndikimin sportiv dhe ndërkombëtar që sjell kjo ngjarje.
“Kthimi i Çmimit të Madh të Turqisë në kalendarin e Formula 1 është një fitore për pasionin dhe besimin e Turqisë në sport,” deklaroi Erdogan gjatë eventit.
Garat do të zhvillohen në ‘Istanbul Park’, një pistë e njohur për konfigurimin teknik dhe veçanërisht për “kthesën 8”, që konsiderohet ndër më sfidueset për pilotët. Ky cirkuit, me gjatësi mbi 5.3 kilometra, ka pritur gara të Formula 1 në periudhën 2005–2011, si dhe në sezonet 2020 dhe 2021.
Erdogan shtoi se rikthimi i këtij eventi do të ndikojë pozitivisht në imazhin ndërkombëtar të vendit dhe do të forcojë pozicionin e Stambollit si një qendër e rëndësishme globale.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë edhe drejtues të lartë të sportit motorik, përfshirë CEO-n e Formula 1, Stefano Domenicali, dhe presidentin e Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, Mohammed Ben Sulayem.
Rritja e vazhdueshme e popullaritetit të Formula 1 në nivel global është një tjetër faktor që mbështet këtë vendim. Vetëm gjatë vitit 2025, kampionati arriti mbi 827 milionë telespektatorë në më shumë se 180 vende, ndërsa mbi 6.7 milionë tifozë ndoqën garat nga tribunat.
Në rrjetet sociale, Formula 1 numëroi rreth 2.3 miliardë ndjekës, duke u konfirmuar si një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në botë.
