Forma e re e kolonializmit

Shkruan: Besart VLLAHINJA

Në historinë e njerëzimit, kolonializmi ka pasur gjithmonë një logjikë të qartë: kontrollin mbi burimet, kontrollin mbi rrjedhën e vlerës dhe kontrollin mbi vendimmarrjen. Dikur, këto burime ishin toka, ari, nafta apo fuqia punëtore. Sot, në mënyrë më të heshtur dhe më pak të dukshme, burimi kryesor është bërë diçka tjetër: të dhënat.

Në pamje të parë, ekonomia e të dhënave duket si një evolucion natyror i teknologjisë. Platforma që përdorim çdo ditë ofrojnë shërbime falas, lidhje globale, efikasitet dhe personalizim. Por pas kësaj sipërfaqeje funksionale, po ndërtohet një arkitekturë e re pushteti, ku vlera nuk prodhohet aty ku gjenerohen të dhënat, por aty ku ato përpunohen dhe kontrollohen.

Kjo është pika ku lind një analogji e fortë historike: a është ekonomia e të dhënave një formë e re e kolonializmit?

Në kolonializmin klasik, territoret e varfra në burime financiare, por të pasura në resurse natyrore, shfrytëzoheshin nga fuqitë e mëdha. Lënda e parë nxirrej në një vend, përpunohej në një tjetër dhe vlera përfundimtare grumbullohej larg nga burimi. Në ekonominë digjitale, ky model përsëritet pothuajse në mënyrë identike. Të dhënat prodhohen nga përdoruesit, nga qytetet, nga bizneset lokale, nga ndërveprimet e përditshme. Por përpunimi i tyre ndodh në infrastrukturat e mëdha teknologjike, të kontrolluara nga një numër i kufizuar kompanish globale.

Në këtë kuptim, individi nuk është më vetëm konsumator. Ai është prodhues i një lënde të re të parë: të dhënave. Por ndryshe nga kolonializmi klasik, ku shfrytëzimi ishte i dukshëm, në ekonominë e të dhënave ai është i integruar në përvojën tonë të përditshme. Ne nuk e ndiejmë se po “japim” diçka. Përkundrazi, kemi ndjesinë se po marrim një shërbim. Ky është ndryshimi më i madh. Kolonializmi i ri nuk imponon, ai bind. Nuk merr me forcë, por përmes marrëveshjeve që shpesh nuk i lexojmë dhe nuk i kuptojmë plotësisht.

Në këtë sistem, vlera krijohet përmes analizës dhe optimizimit të përmbushur përmes algoritmit. Të dhënat nuk kanë vlerë në vetvete. Ato bëhen të vlefshme vetëm kur përpunohen, kur kthehen në modele, parashikime dhe vendime. Dhe pikërisht këtu qëndron asimetria më e madhe. Kush kontrollon algoritmet, kontrollon edhe vlerën.

Kjo krijon një ndarje të re globale. Nuk është më ndarja mes vendeve të industrializuara dhe atyre në zhvillim. Është ndarja mes atyre që zotërojnë infrastrukturën e të dhënave dhe atyre që i prodhojnë ato pa i kontrolluar. Në këtë botë, një qytet mund të jetë burim i vazhdueshëm i të dhënave urbane, një treg mund të gjenerojë modele konsumi, një popullsi mund të krijojë profile të detajuara të sjelljes, por përfitimi ekonomik i këtyre të dhënave mund të realizohet diku tjetër.

Në një formë të re, kemi një “eksport të padukshëm” të vlerës. Ky fenomen ka implikime të thella. Së pari, ai prek sovranitetin. Nëse të dhënat e një vendi përpunohen dhe analizohen jashtë tij, atëherë vendimmarrja ekonomike dhe strategjike mund të ndikohet nga aktorë të jashtëm. Së dyti, ai prek konkurrencën. Bizneset lokale, që nuk kanë qasje në të njëjtën shkallë të dhënash dhe algoritmesh, përballen me një disavantazh strukturor. Së treti, ai prek vetë konceptin e drejtësisë ekonomike: kush përfiton nga vlera që krijohet kolektivisht?

Por ndoshta dimensioni më i thellë është ai filozofik. Në kolonializmin klasik, shfrytëzohej toka. Në këtë formë të re, shfrytëzohet sjellja. Çdo klikim, çdo lëvizje, çdo ndërveprim kthehet në input për një sistem që na analizon, na parashikon dhe, në shumë raste, na orienton.

Në këtë pikë, kufiri mes ekonomisë dhe ndikimit bëhet i paqartë. Sepse nëse një sistem di se çfarë do të bëjmë më pas, ai nuk është vetëm duke reflektuar realitetin. Ai është duke e formësuar atë.

Megjithatë, nuk duhet të në grackën e mendimit të cekët, duke e reduktuar narrativën aq thjeshtë dhe duke rezultuar me demonizimin e teknologjisë. Ekonomia e të dhënave sjell përfitime të mëdha: efikasitet, inovacion, shërbime më të mira dhe mundësi të reja zhvillimi. Problemi nuk është ekzistenca e saj. Problemi është struktura e saj. Ashtu si në çdo sistem ekonomik, pyetja kyçe nuk është nëse krijohet vlerë. Pyetja është si shpërndahet ajo.

Nëse ekonomia e të dhënave do të mbetet një formë e re e kolonializmit, apo do të evoluojë në një model më të drejtë dhe më të balancuar, varet nga mënyra se si shoqëritë, shtetet dhe institucionet do të reagojnë. Rregullimi, ndërtimi i kapaciteteve lokale, zhvillimi i infrastrukturës së brendshme të të dhënave dhe rritja e vetëdijes publike janë disa nga elementet që mund të ndryshojnë këtë ekuilibër.


Go to TOP