Fitore e Vushtrrisë në Podujevë

Vushtrria e ka fituar ndeshjen e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të dielën në Podujevë, Vushtrria fitoi ndaj Llapit me rezultat 39:34.

Mysafirët startuan fuqishëm dhe krijuan shpejt epërsi prej 6:1. Epërsi bindëse mbajtën deri në fund të pjesës së parë, që përfundoi 19:13 për vushtrriasit. As në pjesën e dytë llapjanët nuk u afruan në rezultat dhe kështu dy pikë të reja i takojnë Vushtrrisë.

Erkan Abazxhiku udhëhoqi Vushtrrinë me 10 gola. Shtatë i kishte Fitim Klinaku e nga gjashtë Adnan Musa e Amir Fazliu.

Luigj Kolaj ishte më efikasi te Llapi me nëntë gola. Blerton Hasani e Arbër Neziri i shënuan nga shtatë.

Vushtrria i ka katër pikë në vendin e katërt. Llapi është i shtati po ashtu me katër pikë. /Kosova.info/

Go to TOP