Fisnik Osmanit i përfundon mandati në Termokos, Kastriot Bllaca emërohet ushtrues detyre

Pas përfundimit të mandatit të Fisnik Osmanit si kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike Termokos në Prishtinë, bordi ka vendosur që ushtrues detyre të këtij pozicioni të jetë Kastriot Bllaca, i cili deri më tani ka shërbyer si asistent i auditorit të brendshëm në këtë ndërmarrje, shkruan Kosova.info.

Osmani, gjatë viteve në krye të Termokos-it, është vlerësuar për aktivitete dhe projekte të shumta që kanë çuar në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në kryeqytet.

Osmani është perceptuar shpesh si i afërt me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Megjithatë, sipas burimeve, raportet e tij nuk kanë qenë po aq të ngushta me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjë që dyshohet se ka ndikuar edhe në mosvazhdimin e kontratës së tij si kryeshef i Termokos-it.

Në një postim në rrjetet sociale, Osmani shkroi:

“Përmbyllje e ndershme e një mandati të mundimshëm, sfidues e me suksese të jashtëzakonshme të ngrohtores!
Po e përmbyllim mandatin 3 vjeçar në udhëheqje të Ngrohtores së Qytetit “Termokos”. Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, sfidues por brenda vetes me sukseset më të mëdha që kjo ndërmarrje ka pasur ndonjëherë.
Falënderoj kolegët, stafin dhe qytetarët për besimin e bashkëpunimin. Krenaria më e madhe mbetet që sot Termokosi është më i fortë dhe më afër qytetarëve të Prishtinës.
Shërbimi ishte privilegj, arritjet dhe krenaria janë të përbashkëta!”

Tash për tash, mbetet të shihet se kush do të emërohet në krye të Termokos-it me mandat të plotë, ndërkohë që Kastriot Bllaca do të udhëheqë ndërmarrjen në cilësinë e ushtruesit të detyrës./Kosova.info/


Go to TOP