FFK reagon ashpër: Tribuna e mediave bosh për Dardanet, thirrje për reflektim

Federata e Futbollit e Kosovës ka ngritur shqetësim serioz pas mungesës totale të mediave në ndeshjen Kosovë – Bullgari në konkurrencën e vajzave duke e cilësuar këtë si papërgjegjësi dhe mungesë respekti ndaj përfaqësimit shtetëror.

Sipas FFK-së, ndryshe nga ndeshjet e Kombëtares A të meshkujve ku tribuna e mediave mbushet përtej kapaciteteve, në përballjen e Dardaneve nuk ishte i pranishëm asnjë gazetar sportiv. Ky kontrast, thekson Federata, nuk lidhet me rezultate apo rëndësi, por me një mendësi të gabuar që nuk e vlerëson barabartë sportin e femrave.

FFK vë në pah se vajzat e Kosovës po japin maksimumin dhe po përfaqësojnë vendin me dinjitet në garat ndërkombëtare, përfshirë kualifikimet për Botëror, por kjo nuk po reflektohet në mbulimin mediatik.

Në reagim theksohet gjithashtu një fenomen tjetër shqetësues në ndeshjet e meshkujve, ku zona e mediave shpesh zëhet nga persona që bëjnë tifo në vend të raportimit profesional duke dëmtuar standardin e gazetarisë sportive.

Federata rikujton se tribuna e mediave është hapësirë pune dhe jo vend për tifozëri, ndërsa u bën thirrje mediave që të reflektojnë mbi rolin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e sportit në vend.

Sipas FFK-së, mungesa e vëmendjes nuk prek vetëm ekipin e vajzave, por edhe Kombëtaren U21 dhe futsallin duke dëmtuar në tërësi ekosistemin sportiv.

Në fund, Federata thekson se Dardanet nuk kërkojnë privilegje, por vetëm vëmendjen dhe mbështetjen e merituar duke kujtuar se përfaqësimi i Kosovës nuk duhet të ndahet në kategori të dorës së parë dhe të dytë. /Kosova.info/

Go to TOP