FFK kërkon ndëshkim të rreptë nga UEFA pas thirrjeve anti-Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar me tone të ashpra pas skenave të papranueshme gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri, e zhvilluar në Leskovc, ku në tribunat e stadiumit u dëgjuan thirrje në kor kundër Kosovës dhe u shfaqën mesazhe provokuese me flamurin serb mbi hartën e Kosovës.

Në reagimin zyrtar, FFK e dënon fuqishëm këtë sjellje, duke theksuar se veprime të tilla janë në kundërshtim me frymën sportive dhe me vlerat që përfaqësojnë UEFA dhe FIFA.

“Këto skena për fat të keq nuk janë të reja në stadiumet serbe, ku nxitja e urrejtjes dhe mesazhet fyese ndaj shteteve fqinje vazhdojnë pa ndëshkim të mjaftueshëm,” thuhet në deklaratën e FFK-së.

FFK ka bërë të ditur se do të paraqesë një notë zyrtare proteste në UEFA, duke kërkuar masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për aktet që, siç thuhet, “cenojnë parimet themelore të sportit dhe dëmtojnë imazhin e futbollit evropian.”

Në fund, FFK ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren 1-0 ndaj Serbisë, duke e cilësuar si një fitore që pasqyron karakterin dhe përkushtimin e futbollit shqiptar, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e vlerave të respektit dhe barazisë në sport.


Go to TOP