Fetoshi: Neutralizimi i ndërhyrjeve të Serbisë në zgjedhje, detyrë për vendin

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, thotë se neutralizimi i ndërhyrjeve të Beogradit në zgjedhje është detyrë për vendin dhe kontribut për Europën.

“Serbia vazhdon ndërhyrjet malinje në Kosovë, veçanërisht ndaj proceseve zgjedhore, duke cenuar jo vetëm rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional, por më së shumti vetë komunitetin serb, përkatësisht të drejtën e qytetarëve serbë për zgjedhje dhe përfaqësim të lirë politik. Republika e Kosovës iu ka garantuar atyre të drejta të zgjeruara e përfaqësim në Parlament dhe institucione të tjera qendrore, por ajo duhet të kujdeset gjithashtu që mandatet e rezervuara të përfaqësojnë vullnetin dhe interesat kosovare të qytetarëve serbë, jo urdhërat politikë të Beogradit apo interesat e strukturave kriminale të lidhura me të”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, cdo cikël zgjedhor në Kosovë shoqërohet me intensifikim të operacioneve hibride, të orkestruara e zbatuara nga Presidenca dhe Qeveria në Beograd, BIA, rrjetet kriminale të lidhura me kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe nga Lista Serbe si instrument politik për kontrollin e serbëve në Kosovë.

“Këto ndërhyrje zhvillohen në tërë ekosistemin informativ, politik e të sigurisë, ndërsa opinioni publik në Kosovë vazhdon i fragmentuar në garën e ashpër politike të subjekteve shqiptare. Nga ana tjetër, në prapaskenë, mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë serbë veprojnë me intensitet të lartë për kontrollin e votës serbe, presionin ndaj kundërshtarëve politikë dhe sabotimin e pluralizmit te ky komunitet, si goditje ndaj demokracisë në Kosovë. Duke e penguar komunitetin serb nga zgjedhjet e lira e demokratike, Serbia projekton sabotimin e zhvillimit normal të Kosovës si shtet. Për shkak të kontrollit politik mbi 10 mandatet e garantuara në Parlament, Kosova, jo vetëm që përballet me vështirësi në formimin e institucioneve, por edhe me bllokim të funksionimit apo të nismave të rëndësishme legjislative”, tha ai.

Duke shtuar se, ndërhyrja serbe në zgjedhjet e Kosovës ka një histori të gjatë e të dhunshme. Në vitin 2013, strukturat kriminale dhe shtetërore serbe vranë kandidatin e SLS-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiçijeviq. Në vitin 2018, u vra po ashtu Oliver Ivanoviq, një nga figurat e njohura opozitare ndaj Listës Serbe.

“Në vitin 2019, SLS-ja e pezulloi aktivitetin politik për shkak të mungesës së kushteve minimale për zgjedhje të lira dhe konkurrencë demokratike brenda komunitetit serb. Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, u arrestua në flagrancë Fatmir Sheholli, i akuzuar si bashkëpunëtor i BIA-s dhe implikim në operacione të ndikimit zgjedhor he sabotimit të kundërshtarëve politikë të Listës Serbe. Nga një perspektivë më e gjerë politike, regjimi në Beograd e kalkulon destabilizimin e Kosovës edhe për ruajtjen e pushtetit të brendshëm në Serbi. Fushatat e dezinformimit dhe krizat e fabrikuara rreth Kosovës përdoren si instrumente mobilizimi nacionalist dhe si mekanizma për legjitimimin e Aleksandar Vuçiqit, i cili synon të mbetet njëkohësisht “faktor stabiliteti” për Perëndimin dhe partner i privilegjuar për Rusinë e Kinën”, tha ai.

Prandaj, Fetoshit tha se neutralizimi apo të paktën reduktimi i hapësirës për ndërhyrjet e Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës, nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesit të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave fundamentale europiane.

“Në kontekstin e vlimeve aktuale gjeopolitike, kjo detyrë kërkon maturi institucionale, transparencë demokratike dhe argumentim sistematik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e trajtuar ndërhyrjen serbe jo vetëm si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe si kërcënim ndaj integritetit të proceseve demokratike në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Fetoshi. /Kosova.info/


Go to TOP