Ferit Idrizi denoncon kërcënimin pas debatit në RTV Dukagjini: Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh, jo kërcënimesh

Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se pas debatit të sotëm në RTV Dukagjini me gazetaren Jeta Xharra, është përballur me një kërcënim nga njëri prej kandidatëve tjerë në garë.

Idrizi ka njoftuar se menjëherë pas incidentit, së bashku me dëshmitarë të tjerë, ka dhënë deklaratë në stacionin e Policisë në Prishtinë dhe se rasti tashmë është në trajtim nga institucionet përkatëse.

“E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh”, ka deklaruar ai.

Idrizi ka theksuar se do të vazhdojë të përfaqësojë çdo qytetar të Vushtrrisë me përgjegjësi dhe dinjitet, ndërsa ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe mesazhet e shumta të solidaritetit pas ngjarjes.

“Faleminderit nga zemra për secilën thirrje dhe mesazh!”, ka përfunduar Idrizi në reagimin e tij publik. /Kosova.info/


Go to TOP