Federata çeke shkarkon Ivan Hasek pas humbjes ndaj Ishujve Faroe
Trajneri i Kombëtares së Çekisë, Ivan Hasek, është shkarkuar nga detyra pas humbjes ndaj Ishujve Faroe, të dielën.
Lajmi është konfirmuar nga Federata Çeke e Futbollit (FACR) në një konferencë për media, ku kanë marrë pjesë kryetari David Trunda dhe menaxheri i ekipit kombëtar, Pavel Nedved.
Vendimi për largimin e Hasek është marrë me votë unanime nga komiteti drejtues i federatës. “U takuam me trajnerin këtë mëngjes dhe pas votimit u vendos unanimisht që bashkëpunimi me Ivan Hasek dhe ndihmësin e tij Jaroslav Vesely të ndërpritet menjëherë”, ka thënë Trunda.
Sipas tij, kërkimi për një trajner të ri do të zgjasë dhe Nedved është ngarkuar me përzgjedhjen e kandidatëve. “Ai do të përgatisë një listë më të gjatë me emra nga jashtë vendit”, ka shpjeguar Trunda, duke nënkuptuar se për herë të parë mund të emërohet një trajner i huaj në krye të Çekisë.
Ndeshja e radhës e Çekisë është më 13 nëntor kundër San Marinos, ndërsa katër ditë më vonë kundër Gjibraltarit.
Çekia e ka humbur shpresën për vendin e parë në grup, duke mbetur në vendin e dytë, një pozicion që e çon vetëm në “play-off” për Kupën e Botës 2026.
