Fazliu: Kurban Bajrami festë e familjes që i afron njerëzit

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë. Dita e Bajramit është një ditë që tregon bashkim dhe solidaritet, që manifestohet edhe nga therja e kurbanit që u ndahet personave në nevojë.

Myslimanët kudo në botë festojnë sot festën e Kurban Bajramit, e njohur si Festa e Sakrificës. Kjo festë disaditore është një nga dy festat më të rëndësishme të Islamit. Rëndësinë e kësaj feste e ka shpjeguar edhe hoxhë Xheladin Fazliu për RTK-në.

“Kjo festë lidhet me një prej shtyllave të pesta të Islamit e që është haxhi, ku shumë besimtarë, sivjet edhe nga Kosova mbi 1500, frekuentojnë në ato vende për të kryer kushtin e pestë të islamit. Po ashtu, në këtë festë është edhe një rit, një obligim që e kanë besimtarët islam, therja e kurbanit. Në këtë festë besimtarët islamë janë më afër Zotit por edhe njerëzve, sepse kjo festë konsiderohet që është festë e familjes që i afron njerëzit dhe i bënë që para Zotit të jenë të gjithë të barabartë”, tha Fazliu.

Ai tutje ka folur edhe për procedurën e therjeve të kurbaneve gjatë ditës së Bajramit që u ndahet personave në nevojë.

“Ky rit ose ky obligim i therjes së kurbanit, do të vazhdojë për katër ditë radhazi deri në përfundimin e ditës së katërt, kur përfundon edhe festa e Kurban Bajramit”, tha ai.

Ndërkaq projektin për shpërndarjen e mishit të kurbanit jashtë vendit për familjet në nevojë, ai shpreson se do ta vazhdojnë edhe këtë vit.

Go to TOP