Fatmir Sejdiu zhvillon takim lamtumirës me ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pritur sot në zyrën e tij Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, në një takim lamtumirës, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.

Sejdiu ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke e falënderuar ambasadorin Orav për kontributin dhe punën e tij gjatë shërbimit diplomatik në vend. Gjatë bisedës, palët diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për sfidat dhe mundësitë për avancimin e proceseve në fusha të ndryshme.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës së integrimeve evroatlantike, ku Sejdiu theksoi rëndësinë e përshpejtimit të këtyre proceseve për të ardhmen e Kosovës.

Në përfundim të takimit, ish-Presidenti Sejdiu u shpreh se Ambasadori Aivo Orav do të mbetet edhe më tej një mik i mirë i Kosovës, duke i uruar suksese në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike./Kosova.info/

Go to TOP