Fatkeqësi në magjistrale: I moshuari ndërron jetë pas rënies në pusetë – kryeqyteti hedh poshtë akuzat për fajësi
Një i moshuar ka ndërruar jetë dje në QKUK, ku ishte duke u trajtuar nga 9 gushti pasi kishte rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë.
Lidhur me këtë rast shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet, Gëzim Sveçla, ka fajësuar autoritetet komunale.
“Ndërkohë që promovohen kontrata 18 milionëshe për shesh, 12 milionë për vizatime të arkitektëve, miliona për digjitalizime të parkingjeve, e shumë të tjera – neve na vdesin njerëzit në puseta. Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlen jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Megjithatë, nga Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media, duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit kanë thënë se nuk janë përgjegjës për rastin në fjalë, pasi rruga ku ka ndodhur rasti, sipas tyre, është në kompetencë të qeverisë.
“Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë. Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria. Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë ta politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të kryeqytetit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës. /Kosova.info/