Familja e bllokuar nga bora shpëtohet në zonën e kufirit Kosovë–Mal i Zi
Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka reaguar pas një thirrjeje emergjente nga Policia Rajonale e Pejës për shkak të bllokimit të rrugës rajonale Kullë-Rozhajë si pasojë e reshjeve të dendura të borës.
Në njoftim thuhet se në segmenti në zonën neutrale mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte tërësisht i pakalueshëm, duke lënë shumë udhëtarë të bllokuar me automjetet e tyre. Një familje kosovare me tre fëmijë ka kërkuar ndihmë pasi kishte mbetur për disa orë në mes të stuhisë së borës.
Ekipi i ShKShMK-së nga stacioni i Pejës u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes, i pajisur me personel dhe mjetet specialistike për shpëtim malor, përfshirë edhe një motosajë. Pas arritjes tek familja, thuhet në njoftim, teknikët e shpëtimit vlerësuan gjendjen e tyre shëndetësore dhe realizuan evakuimin e sigurt deri në Pikën Kufitare Kullë.
Përveç familjes, ndihmë u ofrua edhe personave të tjerë të bllokuar në zonë, përfshirë një shofer kamioni, i cili kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore. Ai u dërgua drejt kufirit me Malin e Zi dhe iu dorëzua autoriteteve malazeze, pasi ishte shtetas i këtij vendi.
Operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit e Pejës.
ShKShMK apelon për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në segmentet rrugore që përshkojnë zonat malore. Edhe pse ndodhemi në prag të pranverës, këto zona mund të sjellin ende kushte të papritura dhe sfiduese për udhëtarët.
