FAMILJA DHE EDUKIMI I  FËMIJËVE DHE ADOLESHENTËVE SOT 

Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965) 

Shkruan: Dr. Don Lush GJERGJI

Çdo prindër dëshiron edukimin e mirë të fëmijëve, kështu që ata më vonë të jenë të mirë, të sigurt dhe të lumtur në jetë. Mirëpo kjo fatkeqësisht nuk ndodh. Përse? 

Ka shumë shkaqe dhe arsyje. Unë do t’i numëroj vetëm disa: 

  • Së pari plotësimi i të gjitha dëshirave të fëmijëve, aq sa fëmija sot është bërë pothuaj “diktator” për familje, kërkon dhe kushtëzon çdo gjë dhe menjëherë, dhe prindërit duken të paaftë, disi lëshojnë pe, dorëzohen para këtyre kërkesave, gabojnë rëndë duke menduar dhe thenë: s’dua që fëmija im të vuaj si unë. 
  • Mungesa e vlerave dhe virtyteve personale, familjare dhe shoqërore, si dhe munegsa e madhe e modeleve kulturore dhe shpirtërore. Adoleshentët s’duan dhe s’mund të jenë më si prindërit e tyre, sidomos për familje në rrethe të huaja, në diasporë, si dhe për prindër të varfër dhe të pashkolluar, të trajtuar si “primitive” dhe të prapambetur. Prindërit s’janë gati aspak të përgatitur për rrethe të reja, për edukim të ri, të hapur, ku lypset kërkuar të mirën e përbashkët nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit, por më tepër insistojnë në rregullore, në dishiplinë, në autoritet edhe të “grushtit” të fortë. 
  • Disorientimi edukativ, sepse tashmë askush nuk e di saktësisht dhe përfundimisht çka domethënë të jesh prindër, edukator, pasi ka ndryshuar botëkuptimi i jetës dhe i punës, tradita, kultura, ekonomia, politika, shkenca, arti, gati çdo gjë. Globalizimi e ka përfshirë mbarë botën, por më tepër në dukuri negative, sidomos me anën e mjeteve pamoro-dëgjimore, duke ia imponuar njerëzimit materializmin, hedonizmin, indiferentizmin dhe ateizmin praktik, me pasoja tejet të rënda për jetën kulturore dhe shpirtërore. 

1. KRIJIMI I PERSONALITETIT DHE IDENTITETIT 

Pa njeri s’ka as familje as shoqëri. Edukimi familjar është baza e çdo edukimi të mëvonshëm, sepse në familje formohet personaliteti bazor dhe identitetit personal. Çka domethën personaliteti bazor? 

Pranimi i prinërve, vëllezërve, motrave, rrethit familjar, si dhe pranimi i vetvetes në prizmën pozitive, me procesin e identifikimit me prindër, me procesin e socializimit – hapjes dhe bashkëpunimit, bashkëjetesës me të tjerët.Pa këto dy procese bazore s’ka as fëmijëri as rini. 

Shprehja edukimi, edukata vjen nga latinishtja dhe ka dy vështrime: educare – të ushqesh, apo e-ducere = të nxjerrësh jashtë, të udhëheqësh, të drejtosh kah. Prandaj ushqimi duhet të jetë i trefishtë: trupor, mendor (psikik) dhe shpirtëror. 

Të nxjerrësh jashtë, të drejtosh dhe të udhëheqësh dmth. se adoleshenti është qenie njerëzore, person, qysh nga ngjizja, lindja, prandaj duhet zbuluar në të mundësitë, aftësitë për ta nxjerrë nga bota e vogël, nga barku i nënës dhe i familjes, për t’u bërë vërtet njeri i matur dhe i pjekur, qytetar i botës (mondialiteti). 

Edukimi duhet të zbulojë aftësitë e fëmijës, adoleshentit, ato duhet përkrahur dhe zhvilluar, duke nderuar natyrën, karakterin, talentet, moshën, gjininë… për ta ndihmuar dhe drejtuar kah vlerat dhe virtytet. 

Familja duhet të edukojë sidomos: 

Me PRANIMIN e gjithanshëm të fëmijës, ashtu si është, e jo ashtu si mendojmë dhe dëshirojmë ne, sepse ashtu e ngarkojmë apo projektojmë sipas dëshirave dhe nevojave tona. Prinëdrit të cilët nuk janë të kënaqur me vetveten, me palën martesore, mundohen nëpërmjet fëmijëve ta realizojnë veten me pretendime: biri apo bija ime do të bëhet…, do të jetë…, do të fitojë… Kjo mënyrë e ngarkon dhe rrënon fëmijën, sepse ia cakton një rol, një detyrë, një mision të pamundshëm, t’iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave, ëndërrimeve të prindërve. Fëmija gjendet gjithnjë në konflikt me vetveten, me prindër, me shoqëri, dhe së fundi rrezikon identitetin: kush jam unë, çka dua unë, dhe si dua unë të realizohem. 

Çdo njeri së pari duhet të jetë vetvetja, pastaj mund të jetë edhe me të tjerët dhe për të tjerët. 

  • T’i edukojmë fëmijtë, adoleshentët për jetë dmth. ti AFTËSOJMË për ballafaqime me të tjerët, jo për të sunduar mbi të tjerët, tendencat diktatoriale, apo për t’iu nënshtruar të tjerëve, tendencat për servilizëm. Edukimi i rreptë dhe me ndalesa, ndoshta edhe me ndeshkime, fëmijën e bën të pasigurtë, prandaj e shtyn që të mbëshetet në të tjerët, pa formimin e unit, ego-s, kështu që gjithnjë do të jetë i mvarur prej të tjerëve. 
  • Çdo regull, ligj, normë pa motivim, mirëkuptim dhe dashuri, e edukon fëmijën për DYFYTYRËSI, sa për sy e faqe dëgjon dhe vepron sipas kërkesës së prindërtve, por pa bindje, përcaktim, vetëm formalisht. Ose skajimi tjetër mund të jetë anarkist – t’i urrejë dhe kundërshtojë të gjitha rregullat, ligejt në fëmijëri dhe në rini, sepse si fëmijë ka pësuar jetën, s’ka pasur fëmijëri dhe rini të qetë dhe të bukur. 

Familjet e rrepta dhe represive edukojnë hajna, rrenca, mashtrues, kriminelë, ata të cilët s’kanë pasur përvojë dashurie, përgjegjësie, por lirinë e kërkojnë në anarki dhe në shkelje të noramave familjare, shkollore, shoqërore dhe fetare.  

2. TË JESH PRINDËR SOT 

Shumë prindër nuk dinë më çka domethënë të jesh babë apo nënë, pra, s’dinë si duhet të jetojnë dhe të veprojnë mes tyre, edhe më pak me fëmijë. Fëmijtë nëse pranohen si fryt i ndërsjellët i dashurisë, ndihmojnë shumë edhe çiftin martesore, kërkimin e bashkëshortisë, sepse: 

  • zgjerohet dhe thellohet komunikimi ndërpersonal në martesë dhe në familje; 
  • shtohet dhe begatohet jeta afektive dhe emotive, dashuria; 
  • rritet pjesëmarrja e të gjithëve në jetën familjare. 

Lindja dhe edukimi i fëmijëve, adoleshentëve, tregon aftësinë e prindërve për jetën martesore. Vetëm pas lindjes së fëmijës hetohen më qartas qëllimet e martesës, që mund të jenë të llojllojshme: 

–     për t’i ikur vetmisë, familjes së preardhjes, e cila është e rrebtë dhe s’lejon asgjë;   

–     për të pasur së paku dikë (fëmijën) dhe diçka (familjen) për vete;  

–     për të qenë i rëndësishëm para të tjerëve;  

–     për të siguruar pasardhësin, sidomos tek ne shqiptarët, me djalin…;  

–     për të dalur prej rrethit të ngushtë, tek shqiptarët martesa është shndërruar edhe në bisnis, për të shkuar në botë, jashtë Kosovës, me fejesa dhe martesa për vizë… 

Nëse nuk është në rregull marrëdhënia martesore, s’do të jetë në rregull as ajo me fëmijë, me të tjerët, sepse pakënaqësia, mosrealizimi, frustrimi, hurxhi, konfliket, krijojnë mosdurim, agresivitet, shpërthime në grindje  dhe përçarje të vazhdueshme.  

Pas lindjes së fëmijës burri mund ta ndijë veten i përjashtuar dhe i harruar, sepse s’është më në qendër të vëmendjes, pra, mund të lind edhe xhelosia, sipas fjalës së urtë shqiptare: “Fisnike, tash je përtej djepit dhe detit! “, që dmth. se mes nesh është djepi, fëmija, që na largon si deti, si dy bota. 

E vërteta themelore është kjo: fëmijtë nuk janë për prindër, por prindërit për fëmijë! Kjo vlen në veçanti për botën femrore shqiptare, sepse femrat tona mundohen zbrazëtitë e tyre afektive dhe emotive, jetësore t’i mbulojnë dhe projektojnë në fëmijtë e tyre me motivime si: së paku jam nënë, kam fëmijë, ata le të jenë të lumtur, sepse edhe ashtu s’kam asgjë nga jeta përpos vuajtjes dhe fëmijëve… 

Prindërit që s’janë të bashkuar dhe koherentë, u japin fëmijëve porosi të gabuara, sepse njëri thotë po, tjetri thotë jo, duke shkaktuar kështu pasiguri, nevrozë, frikë, shqetësim, dyshim dhe thyrje psikike. 

Pjekuria personale dhe martesore, familjare është PARAKUSHT për edukimin e fëmijëve, sepse nuk edukojmë me fjalë, me porosi, por më tepër me shembëll dhe me jetë. Në familje të papjekur apo në konflikt, fëmijtë shpesh shndërrohen në “OBJEKT”, lodër apo vegël për ta luftuar çiftin martesor, duke rrënuar kështu veten, por edhe fëmijën dhe fëmijërinë e tyre. Pytja: kë e do më shumë? A je me mua apo me… janë “lojëra” dhe ngarkesa shkatërruese, sepse fëmija kështu disorientohet, habitet, s’di më më kë duhet të  jetë, herë anon kah babai herë kah nëna. 

Familja, edhe pse ka pësuar ndryshime të mëdhaja dhe rrënjësore, prapë mbetet rrethi  i parë natyror  i çdo edukimi, përgjegjësie  për fëmijë dhe për rini. Mu për këtë familja s’mund të jetë indiferente, neutrale, t’i edukojë fëmijtë vetëm për përshtatje ndaj jetës dhe punës, por duhet t’ua jep përvojë kujdesi, mirësie, butësie dhe dashurie, sepse është bartëse dhe edukuse për jetë dhe për vlera. 

Edukimi është kryesisht aftësimi  i fëmijës për ZGJEDHJEN E VLERAVE DHE TË VIRTYTEVE, si ndërmjetësim mes familjes, shkollës, shoqërisë. 

Si mund ta bëjnë prindërit këtë? 

  • Me dialog të hapur dhe të sinqertë në familje, në shkollë, kudo… me të gjithë ata që merren me edukimin e fëmijëve. Tek ne qysh moti është rrënuar hallka apo zinxhiri FAMILJA- SHKOLLA – FEJA – SHOQËRIA, dhe secili vepron si di dhe si do, por pa ndonjë harmonizim dhe bashkëpunim. 
  • Me edukim në vazhdimësi (permanent) të prindërve, si proces jetësor për vete dhe  për të tjerët. Tek ne pak i jipet rëndësi edukimit dhe formimit permanent, si në anën profesionale, ashtu edhe familjare, sepse mendojmë se dimë dhe mundemi edhe pa këtë. 
  • Me angazhim të vazhdueshëm për t’i njohur nevojat, dëshirat, problemet e brezit të ri, dhe për të qenë në shërbim të tyre. 

Sot fëmijtë kanë shumë vështirësi dhe halle të ndryshme, si p. sh. frika, mosbesimi, mbyllja në vete, vetmia, shqetësimi para luftës, terrorizmit, varfërisë, papunësisë,  ndarjes së prindërve, garimi, rivalitetet, mosdurimi… 

Dikur edukimi familjar, por edhe shkollor, fetar dhe shoqëror, ishte për të gjithë i njëjtë, me rregulla të përbashkëta dhe të sigurta, që mund të shprehet edhe kështu: Si të tjerët, si të gjithë! 

Sot kërkohet më tepër EDUKIMI PERSONAL DHE NDËRPERSONAL, sipas moshës, gjinisë, aftësive, nevojave, rrethanave, mundësive…Tashmë s’mund të thirremi në autoritet të rolit: unë jam prindi yt…, mësuesi, prifti…duke pasur ndonjë rol të caktuar. Të gjitha këto autoritete vetvetiu janë në krizë dhe në rishqyrtim. I vetmi autoritet i pamohueshëm ka mbetur DASHURIA, mirësia, duresa, shembulli i mirë, sepse kështu të gjithë edukohemi së bashku dhe edukojmë njëri-tejtrin. Për këtë të gjithë jemi nevojtarë për informim dhe për formim permanent , por të udhëhequr  dhe të motivuar nga kujdesi dhe dashuria. 

Nuk mjafton dija për të qenë të mirë, por nevojitet angazhimi i tërë personalitetit në kërkimin, gjetjen dhe zbatimin e të mirës së përbashkët. 

Njeriu si qenie shoqërore dhe në marrëdhënie gjatë tërë jetës gjendet para zgjidhjeve apo marrëdhënieve me rrethin e jetës dhe të punës. Nga kjo kryesisht edhe mvaret suksesi apo mossuksesi i jetës, çka japim dhe çka marrim, çka zgjedhim në jetë si vlerë, si ide, ideal, orientim dhe përcaktim jetësor. 

Çdo zgjidhje në jetë ka për qëllim: 

  • Krijimin apo ruajtjen e drejtpeshimit, të harmonisë mes njeriut dhe rrethit për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës. Ta marrim një shembull nga jeta e përditshme: kur është ftohtë, vishemi, kur është nxehtë, zdishemi, kur jemi të uritur, ngrënim, të lodhur, pushojmë… Kështu është edhe në jetën psikike, mendimore, dhe shpirtërore, sidomos në dashuri, në shkëmbimin e përvojës dhe të jetës . 
  • Çdo zgjidhje ka ndikim për të tashmen, por edhe për ardhmërinë tonë, sepse çka mbjellim sot do të korrim nesër. Shi për këtë nevojiet PËRGJEGJËSIA e PËRBASHKËT për jetën tonë dhe të tjerëve, sidomos të prindërve ndaj fëmijëve, sepse ata ende s’janë të aftë për jetë, për zgjidhje – pa prindër. Prindërit duhet t’i edukojnë dhe aftësojnë fëmijtë e tyre për ZGJIDHE ME PËRGJEGJËSI, sepse kjo është baza e lirisë njerëzore. Çdo njeri, person është i papersëritshëm, burimor, unikat, dhe si i tillë meriton kujdes, përkrahje në edukim që të JETË VETVETJA. 

3. NJERIU – QENIE E PËRBËRË 

Njeriu është qenie e përbërë prej shumë faktorëve, trup, psikë dhe shpirt; e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja; unë – ti = ne… Unë do t’i përmendi tre faktorë të rëndësishëm të përbërjes së njeriut: 

  1. Trashëgimia, ana ose pjesa gjenetike; 
  2. Rrethi, ana familjare, edukative, morale, fetare dhe kulturore; 
  3. Zgjidhjet apo përcaktimet jetësore, ana personale. 

     

    Çdo njeri është njësi e veçantë gjenetiko-kromozoike, sepse i ka 23 kromozome nga ana e babait dhe 23 tjerë nga ana e nënës. Në çdo qelizë gjenetike janë më se 30.000 gjene, gjë kjo që krijon mundësi të panumërta të kombinimeve. Edhe kjo dëshmon se njeriu është qenie e veçantë  dhe e papersëritshme. Mu për këtë edukimi duhet të drejtojë fëmijën si qenie të përbërë dhe burimore që të jetë vetvetja, t’i aktivizojë dhe realizojë mundësitë e ndryshme që i ka në vete. 

     

    Ana gjenetike ndikon mjaft, por nuk kushtëzon tërësisht jetën e njeriut, sepse përpos trashëgimisë gjenetike, ndikim të madh ka edhe rrethi familjar, ambienti edukativo-arsimor, marrëdhëniet ndërnjerëzore. 

    Nga studimet e deritanishme mund të themi se trashëgimia gjenetike ndikon në njeriun afro 50%, edukimi, rrethi, familjar po ashtu afro 50%, apo thenë figurativisht: fara ka rëndësi 50%, por edhe toka ku bie fara 50%. Pa farë të mirë dhe arë të mirë s’ka fryte. Mos t’ishte kështu, njeriu s’do t’ishte i lirë dhe përgjegjës për jetën dhe veprimet e veta. 

     

    Edukimi familjar së pari, pastaj shkollor, fetar, moral, ndikojnë dukshëm në zhvillimin e mundësive gjenetike për njeriun. Mënyra më e mirë, dhe pothuiaj e vetmja për edukim të mirëfillët të fëmijës është DASHURIA, si fuqi tërheqëse që zgjon te tjetri nevojën, dëshirën dhe kënaqësinë e SHKËMBIMIT, apo si do të thoshte Shën Nëna jonë Tereze, “njeriu e jep pjesën më të mirë të vetvetes”. 

     

    Edukimi familjar dhe shkollor e aktivizon dhe drejton trashëgiminë gjenetike që nga mundësia, potenciali, të shndërrohet në zbatim dhe në realitet. 

     

    Njeriu ka në vete dy lloj gjene: 

     
  • GJENOTIPI – është tërësia e trashëgimisë dhe e karakterit të një organizmi njerëzor; 
  • FENOTIPI – është tërësia e individit, si fryt i gjenotipit  (trashëgimisë gjenetike) dhe e fenotipit (i edukimit). Mund të themi edhe kështu: gjenotipi është mundësi, fenotipi është konkretizimi i mundësive, sepse e tërë jeta është proces në zhvillimi dhe në kërkim. 

     

    DASHURIA është “mjekimi” i çdo varre dhe aktivizimi i çdo mundësie që bën kalimin prej trashëgimisë gjenetike në realizimin fenotip të njeriut. 

     

    ZGJIDHJET dhe përcaktimet, krijimi i unit, mvaret kryesisht prej dy faktorëve të lartëprmendur, atij gjenetik dhe të rrethit, por sidomos prej orientimit jetësor. 

    Edukimi i rrebtë familjar, si dhe plotësimi i lehtë i shumë dëshirave të fëmijëve, i bënë ata pasivë, të paaftë për ta përballuar jetën dhe sfidat e ndryshme. Fëmijtë  e tillë presin gjithçka prej të tjerëve, janë kritikë ndaj çdo gjëje, dinë vetëm të sulmojnë dhe të rrënojnë, por jo edhe të ndërtojnë dhe bashkëpunojnë. 

     

    Orientimi i parë për fëmijë është familja, dhe nga kjo përvojë mvaret mjaft jeta e mëvonshme. Disa fëmijë thonë kështu: 

    s’kam sukses, sepse s’kam fat, sepse të tjerët më pengojnë, qëndrim ky që fajëson të tjerët , për ta shfajësuar veten, pasivizim dhe ikje prej përgjegjësisë; 

    të tjerët thonë: s’kam sukses sepse s’kam punuar, s’jam munduar, s’jam flijuar, qëndrim pozitiv dhe me përgjegjësi .  

    Fëmijtë e formojnë unin, ego-n, konceptin mbi vetveten në dy drejtime: 
  1. Pozitiv: dua, mund, duhet, do të provoj, sepse ka besim në vete dhe në të tjerët, prandaj mundohet, jep çdo gjë prej vetes, por edhe bashkëpunon me të tjerët. 
  2. Negativ : s’dua, s’mund, s’ka kuptim, sepse i mungon besimi në vete dhe në të tjerët, mbetet pasiv, mundohet në shpinë të tjerëve të ketë sukses, mvaret shumë prej të tjerëve. 

     

    Prindi në asnjë mënyrë nuk duhet ta zëvendësojë fëmijën në asgjë, sepse kjo e rrënon tek ata vetëbesimin dhe sigurinë. Rrethi nuk duhet t’i zgjedhë vështirësitë, detyrat, problemet e fëmijëve, por duhet t’i nxisë ata në angazhim, në punë, në mësim, në ushtrim, në kërkimin e zgjidhjeve. Ne duhet t’i përcjellim fëmijtë kështu: mëso, puno, kërko, unë apo ne të përcjellim, jemi afër teje dhe me ty! Kush prêt në mënyrë pasive apo të gatshme zgjidhje prej të tjerëve, është i “robëruar” prej tyre, s’ka liri dhe pavarësi, identite dhe personalitet. 

     

    4. SI PËRFUNDIM 

     

         Sot në shumë raste mungon familja, jeta familjare,  fëmijtë jetojnë shumë jashtë familjes, në çerdhe, në mësime parashkollore, në shkollë, në aktivitete të lira…, sa që pak jetojnë në familje dhe me familje. Edhe atë pak kohë që e kalojnë me prindër, e kalojnë keq, sepse prindërit janë të ngarkuar me punë, me lodhje, me halle të ndryshme, kështu që fëmija trajtohet më shumë si ngarkesë, pengesë, peshë, se si gëzim, dhuratë, mundësi… 

     

         Ne shqiptarët e kemi një traditë të mirë dhe të shenjtë, të shëndoshë familjare: pranimin e fëmijëve si dhuratë të Zotit dhe të dashurisë dhe dhurimit martesor. Këtë traditë duhet ta ruajmë dhe kultivojmë edhe në rrethana të reja, edhe në botën e jashtme, sepse përndryshe do të vijmë deri te   vetëshkatërrimi, si ndodh pjesërisht në Perëndim me  dëbimin e fillimit të jetës, fëmijës, si dhe mbarimin e saj, pleqërinë, duke “seleksionuar” jetën vetëm në rini dhe në pjekuri.. 

     

    Kjo vlen për jetën e re, fëmijtë, si dhe për të moshuarit, sipas parimit: S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe: Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë! 

     

         Edukimi është proces jetësor, ku rol vendimtar kanë prindërit, pastaj edhe anëtarët tjerë të familje, por edhe fëmijtë. 

         Edukojmë me jetë, shembëll, dëshmi, e jo me fjalë, porosi, ligje, ndalime. 
Go to TOP