FAKTOGRAFI – 1991

Shkruan: Pal ShTUFI

Shqipëria ishte në fundin e historisë, siç thotë Lea Ypi. Ishte duke dorëzuar uniformën e hekurt staliniste dhe ishte duke veshur petkat e reja të demokracisë perëndimore. Petka të prera me numër evropian, të cilat nuk i binin shtatit të vyshkur shqiptar – ishin shumë të mëdha!

Në atë kohë, Blerim Shala më pati ngarkuar të bëja për “ZËRIN” disa intervista ose reportazhe nga Shqipëria.

Intervista pata bërë me Ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Perikli Teta, me Syzana Gërvallën si dhe me Aziz Zhilivodën, kreshnikun, i cili i kishte shërbyer shumë vite Enver Hoxhës për t’i kryer disa diversione ne Jugosllavinë e asaj kohe, por të cilin më vonë, gjyqi enverist e kishte dënuar me 20 vjet burg.

Natyrisht, pata takuar edhe shumë prominentë të kohës, siç ishte Ndrekë Luca, Justina Aliaj, Kujtim Çashku, Androkli Kostallari, Seit Mansaku e shumë të tjerë…

Reportazhe nuk bëra, sepse nuk kishte “letër” që duronte realitetin që shihja me sy. Thënë më mirë, nuk doja të isha transmetuesi i parë i atij lloj reportazhi në Kosovë.

Në ndonjë shkrim tjetër do të përpiqem të them shumë detaje të kësaj vizite në Shqipërinë e vitit 1991.

Go to TOP