Evropa i gëzohet armëpushimit Izrael-Liban

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell e ka përshëndetur marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit.

“Marrëveshja për një armëpushim në Liban është një lehtësim për situatën shkatërruese në Lindjen e Mesme”.

“Dua të lavdëroj Francën dhe ShBA-në për ndërmjetësimin e tyre”.

“Tani është thelbësore që armëpushimi të mbahet, për të garantuar sigurinë e qytetarëve LEB dhe IL, dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda”.

“Zbatimi i plotë i Rezolutës 1701 është i domosdoshëm. Gjithashtu përsëris thirrjen time për liderët libanezë që të marrin përgjegjësinë e tyre politike duke zgjedhur një President. Libanezët kanë të drejtë të rifitojnë sovranitetin e plotë në punët e vendit, pa ndërhyrje të jashtme”, tha Borrelli në X.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshëndeti armëpushimin e arritur në Liban.

“Armëpushimi i shpallur midis Izraelit dhe Hezbollahut është një lajm shumë inkurajues”, shkroi ajo në X.

“Në radhë të parë për popullin libanez dhe izraelit të prekur nga luftimet. Libani do të ketë një mundësi për të rritur sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm falë ndikimit të reduktuar të Hezbollahut”, tha von der Leyen.

Go to TOP