Është nga Kosova, tifozi që hyri në fushë në ndeshjen Itali – Shqipëri e zbulon arsyen pse e bëri

Shqipëria mbrëmë (15 qershor) zhvilloi ndeshjen hapëse të tyre në Kampionatin Evropian 2024 ndaj Italisë.

Ndonëse “Kuqezinjtë” morën avantazhin pas vetëm 23 sekondave lojë pas golit të shënuar nga Nedim Bajrami, ata nuk ia dolën ta menaxhojnë mirë epërsinë e krijuar.

Italia arriti që ta përmbysë rezultatin duke shënuar dy gola me anë të Alessandro Bastonit dhe Nicolo Barellas për të “rrëmbyer” tri pikët.

Sidoqoftë, një ndër momentet që mori vëmendjen gjatë kësaj ndeshje ishte momenti kur një tifoz hyri në fushë dhe bëri që ndeshje të ndërpritej për disa minuta.

Tashmë është mësuar se tifozi që ka hyrë në fushë është shqiptar i Kosovës dhe banon në Skenderaj.

Sami Rexhepi ishte personi që arriti ta evitojë sigurimin dhe të hyjë në fushë për disa minuta duke i përshëndetur disa lojtarë.

Rexhepi tashmë ka treguar arsyen që fshihet prapa këtij veprimi që bëri bujë në rrjetet sociale.

”Kam vënë bast me djalin tim. Kjo ka qenë arsyeja”, ka thënë Rexhepi.

Përndryshe, Shqipëria do të rikthehet në aksion sërish të mërkurën, ku kësaj radhe do të ketë kundërshtar Kroacinë.

Go to TOP