Esëll për Krishtlindje, për katër javë ndalohet shërbimi i alkoolit në kafiteri, restorante e hotele të Norvegjisë

Autoritetet norvegjeze kanë ndaluar për katër javë shërbimin e alkoolit nëpër kafiteri, restorante dhe hotele, e krejt kjo po bëhet si preventivë që të parandalohet përhapja e variantit të ri të coronavirusit i njohur si Omicron.

Qeveria ka porositur të gjithë se këtë mund ta bëjnë në shtëpi, kurse bartja e maskave mbetet e obligueshme dhe rekomandohet që të shtyhen të gjitha ngjarjet sportive.

“Situata është serioze. Masat e reja hyjnë në fuqi sonte pas mesnate”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre.

Ekspertët parashikojnë që varianti i ri i coronavirusit që përhapet më shumë, së shpejti mund të jetë dominues në këtë vend – që do të ishte kolaps për sistemin shëndetësor.

Të hënën janë konfirmuar 958 raste me Omicron. E Norvegjia që ka 5,4 milionë banorë, thotë se të hënën në total ishin regjistruar 4,864 raste të reja me të gjitha llojet e COVID-19 (një rast i vdekjes).

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, në Norvegji kanë humbur jetën 1,136 persona.

Go to TOP