Erion Veliaj shkarkohet nga detyra e kryebashkiakut

Qeveria ka shkarkuar zyrtarisht të enjten e 25 shtatorit nga detyra si kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliajn, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ky ishte dhe hapi final, pasi Këshilli Bashkiak i kryeqytetit, me një bashkim të votave mes opozitës dhe mazhorancës, miratoi më parë propozimin e shkarkimit të Veliajt.

Një ditë pas votimit nga Këshilli Bashkiak, kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat dhe deputetët socialistë të qarkut Tiranë për të përcaktuar hapat e ardhshëm.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë e përshkroi gjendjen aktuale si një “bashki kokëkëputur”, duke theksuar se Tirana nuk mund të qëndrojë pa një kryetar që drejton punët e qytetit.

“Tema jonë si palë e përgjegjshme është një histori drejtësie me shumë pikëpyetje që s’dihet sa do zgjasë, por nuk duhet të marrë peng pafundësisht kryeqytetin. Tirana nuk mund të gdhihet e ngryset si trupë pa kokë”, tha kreu i Qeverisë.

Ogerta Manastirliu, kandidatura e PS

Partia Socialiste ndërkaq ka përzgjedhur ish-ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si kandidate për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë.

Rama u shpreh se ajo ka mbështetje të plotë brenda partisë dhe vizionin për të drejtuar kryeqytetin.

“Opozita do të hyjë në garë e humbur dhe do të dalë edhe më e humbur. Qytetarët nuk e kanë mendjen tek rivalët, por tek problematikat që kërkojnë zgjidhje, si çështja e ujit të pijshëm”, tha ai.

Në përfundim të takimit, Rama i bëri thirrje strukturave socialiste të Tiranës që të nisin menjëherë përgatitjet për zgjedhjet e reja, duke theksuar se PS është e vendosur të fitojë me kandidaturën e Manastirliut.

Dhe kështu, duke i vënë kapakun kapitullit të stërzgjatur Veliaj, i cili të vërtetën e tij do ta kërkojë tashmë ekskluzivisht vetëm në dyert e gjykatave, që prej Kushtetueses.


Go to TOP