“Engjëjt e lirisë – shtatorja “Leotrimi i vogël” vijnë në pullë postare

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, Posta e Kosovës vë në qarkullim emisionin filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”.

Ky emision i kushtohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë dhe nënvizon rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe promovimit të vlerave të paqes.

Pulla postare paraqet shtatoren “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë. Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës sjell në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe të ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet.

Përmes filatelisë, tema dhe ngjarje me rëndësi historike e shoqërore dokumentohen dhe përcillen te brezat e ardhshëm, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe promovimin e vlerave universale.

Për realizimin e motivit filatelik është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, siguruar nga KK Skenderaj.

Go to TOP