Eliminohen Atalanta, Celtic dhe Monaco
Përfundimisht sonte nuk ka qenë nata e skuadrave italiane në Champions League. Pas eliminimit të Milanit, edhe Atalanta ka përfunduar rrugëtimin në Champions League, duke u mposhtur për herë të dytë nga Club Brugge.
Skuadra belge ka triumfuar 3-1 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Bergamo, duke siguruar kalimin në fazën tjetër me rezultatin e përgjithshëm 5-2.
Brugge e ka vendosur fatin e ndeshjes që në pjesën e parë, duke shënuar tri gola përmes Talbi (3’, 27’) dhe Jutgla (45+3’).
Atalanta ia ka arritur ta ngushtojë rezultatin në fillimin e pjesës së dytë me golin e Lookman, i cili më pas e ka humbur një penallti, duke shuar shpresat e italianëve për një rikthim.
Një tjetër përballje dramatike është zhvilluar në Lisbonë, ku Benfica ka eliminuar Monaco pas një barazimi 3-3. Portugezët kishin fituar ndeshjen e parë 1-0, duke kaluar më tej me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Për Benfica kanë shënuar Akturkoglu (22’), Pavlidis (76’) dhe Kokcu (84’), ndërsa golat e Monaco janë realizuanr nga Minamino (32’), Ben Seghir (51’) dhe Ilenikhena (81’).
Ndërkohë, Bayern Munich e ka siguruar kualifikimin pas një barazimi me Celticu, duke përfituar nga fitorja 2-1 në ndeshjen e parë në Skoci. Skocezët kanë rrezikuar ta dërgonin ndeshjen në shtesa pas golit të Kuhn (61’), por Davies ka shënuar në minutën e katërt të kohës shtesë, duke vulosur kualifikimin e gjermanëve dhe eliminimin e Celtic.
