Elezi: 252 mijë euro janë planifikuar për zgjedhje në veri të Kosovës

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i ftuar “Info plus” në RTK, tha se KQZ është në përgatitje intensive për t’i organizuar zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës. Me këtë rast, Elezi tha se KQZ ka miratuar planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Elezi tha se sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 252,004 euro.

“Me qëllim të funksionalizimit Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Po ashtu, KQZ ka emëruar rreth 20 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim”, theksoi Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) Komisioni Komunal Zgjedhor administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

“KQZ-ja është institucion që ka për detyrë të krijojë kushtet që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të shprehin vullnetin e tyre. Andaj, në këtë drejtim, për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për këtë proces votimi, KQZ-ja ka paraparë një periudhë kohore 5-ditore, e cila do të fillojë më 29 mars dhe do të përfundojë më 3 prill. Informacionet jemi duke i përgatitur dhe me kohë do t’i publikojmë”, tha Elezi.

Po ashtu, ai tha se pas kësaj periudhe të aplikimit për regjistrim, KQZ ka paraparë periudhën tjetër për të gjithë ata qytetarë që regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

“Nga 12 deri më 20 prill do të organizohet periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës. Pra, është një periudhë 9 ditore. KQZ ka miratuar raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46,248 votues apo 1,153 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar Komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023”, theksoi ai.

Elezi tha se KQZ-ja ka miratuar listën me 44 Qendra të Votimit për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

“Sipas listës së miratuar nga KQZ, e cila përfshin të dhënat e detajuara për vendndodhjen e saktë të tyre, numri i Qendrave të Votimit në komuën e Leposaviqit është 18, në Zubin Potok 12, në Zveçan 7 dhe në Mitrovicën e Veriut 7”, tha Elezi.

Gjithashtu Elezi ka bërë të ditur se për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, ku në çdo Qendër Votimi një Vendvotim shërbente për të mundësuar votimin me kusht, pas hyrjes në fuqi në vitin 2023 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në këto 4 komuna do të hapen vetëm 4 vendvotime me kusht, pra nga një Vendvotim për këtë qëllim në secilën komunë. Adresa e saktë për vendndodhjen e Vendvotimeve me kusht është e publikuar së bashku me listën e Qendrave të Votimit.

Go to TOP