Elegji për logjikën e kryeministrit tim, Albin Kurti
Shkruan: Bleron BARALIU
Në një lajthitje elementare, më jo vetëm me aluzion por edhe me deklarim preciz, Albini ka ritheksuar bindjet e tij se ‘patriotët dhe punëtorët e diasporës janë të pakrahasueshëm me ata vendorë” – duke e quajtur konstatimin e tij krejt të gabuar një ‘fakt’të pamohueshëm. E di që në matematikë Albini ka ngecur kohëve të fundit, megjithatë besoj e mban mend se një fakt rrëzohet në çastin që dikush sjell qoftë edhe vetëm një fakt tjetër kontradiktues. Prandaj unë po i sjell disa fakte për të rrëzuar kontestimet gjeneraliste dhe të gabuara të kryeministrit:
@Albin – Fakt është Mergim Cahani, made in Kosova, që ka studiuar e fituar përvojë në New York dhe më pas është kthyer në Kosovë për të ndërtuar Gjirafa-n. Ky është edhe inteligjent, edhe puntor i jashtëzakonshëm, edhe patriot i rrallë – më shumë se ne që kemi mbetur në ‘diasporë’.
Fakt është Rezart Spahia, që ka studiues e fituar përvojë në ShBA e Angli duke arrit suksese të larta në avokaturë dhe pastaj është kthyer në Tiranë për të jetuar e vepruar me zell. Rezarti është më patriot se unë dhe secili shqiptar si unë në diasporë, pa përjashtim. Fakt është vajza e tij, Hana, e edukuar kryesisht në Tiranë, që tani po shkëlqen me notat më të larta si studente ndër më të dalluarit në Stanford në 3 degë shkencore, si dhe djali i tij që ka fillur në UPenn këtë vjeshtë.
Fakt është edhe Korab Sejdiu dhe Qëndrim Gashi po sikur Rezarti. Pastaj studentë të tjerë nga Kosova e më gjerë që kanë shkëlqyer nëpër univerzitete botërore. Fakte dhe patriotë janë edhe dy margaritarë në 91Life, Gledis Kallco (nga MIT në Tiranë) dhe Leart Ajvazaj (nga Yale e Cambridge në Prishtinë). Fakt është poashtu edhe Ardëshiri që ka ndërprerë studimet pas nji viti në UP për t’u bërë programeri më i dalluar nga 150 puntorët e 91Life nga Kosova e Amerika.
Fakt – por jo diasporë- janë edhe aktori/regjisori Blerim Gjoci (USC – LA), Krenar Komoni, Lab Çerreti e Mira Murati, ani pse nuk janë kthyer në Kosovë/Shqipëri. Fakt janë edhe Adem Jashari e Adem Demaçi – aspak më pak se Fehmi Lladrovci e Jusuf Gërvalla. Faktet janë gjithandej, pa përjashtime e përgjithësime diskriminuese, sepse patriotizmi shqiptar tejkalon kufijë gjeografikë e kohorë – por gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë – patriotët më të denjë e kanë gjetur rrugën e kthimit në atdhe.
Faktet dëshmojnë se kohëve të fundit punëtorët e denjë e patriotët e kombit në masë të madhe janë detyruar të lënë vendin për të mprehur shkathtësitë e tyre nëpër librari e fabrika jashtë vendit. Kjo nuk është (krejt) për fajin tënd Albin, por megjithatë është përgjegjësia jote (dhe jona) kryesore për t’a ndryshuar këtë fakt, pa nevojë a arësye për të nënçmuar ata që meritojnë më së shumti respekt – ATA që në vend se të braktisin Kosovën kanë braktisur mundësitë për të ndërtuar suksesin e tyre jashtë vendit duke qëndruar e kontribuar në atdhe, siç i ka hije një patrioti kulminant e puntori të pakompromis për atdhe.
Ndërsa të tjerë që kanë ikur në kërkim të gjasave për zhvillim më të hovshëm, kjo nuk i shëndërron ata në patriotë e puntorë të rikrijuar të diasporës – sepse brumin dhe thelbin e karakterit të tyre e kanë ndërtuar në shtëpi, siç e kam ndërtuar dhe vet unë. Unë dhe gruaja ime nuk jemi diasporë Albin, edhe nëse fëmijët tanë mund të quhet të këtillë, sepse ne jemi formësuar në Bukosh e Pejë, ndërsa vetëm vazhduar ndërtimin mbi këto themele në New York. Megjithë punën e palodhshme dhe tëra që mundohemi të bëjmë drejt kontributit për atdhe, vlerësimi për patriotizmin tonë do të shumëfishohej në ditën që do të ktheheshim në Shqipni.
Që t’a kesh të qartë po t’a tregoj edhe një fakt shtesë:
Po bisedoja me Bacin Adem në Prishtinë dhe tregoja tentativën dhe dëshirën time për t’u kthyer në Kosovë. Baci në bërtiti me qortim: “Mshile gojën! Patrioti i vërtetë qëndron aty ku mund të kontriboj më së shumti. Detyrat më të mëdha ti mund t’i kryesh në Amerikë, boll kena na k’tu që e bajnë hallakamë edhe pa ty”.
Por, Albin, kjo nuk ka qenë kurrë arsyeja e moskthimit tim. Në rrafsh patriotik, moskthimi im, sado i justifikueshëm, është testament i dështimit dhe jo suksesit tim!
Prandaj, respekto e vlerëso ata që nuk kanë ikur e të tjerë që janë kthyer në Kosovë, sepse fëmijët e tyre janë e ardhmja e vetme e garantuar e kombit tonë.
Reductio ad absurdum dëshmon lehtë se pa patriotët në Kosovë nuk mund të ketë Kosovë. QED.