Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i dyshuari për “Vrasje në tentativë”

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, më 16 shkurt 2026 ka realizuar ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Zvicra për në Kosovë.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje në tentativë”. Sipas njoftimit zyrtar, ai i ishte shmangur drejtësisë deri në momentin e arrestimit dhe më pas është iniciuar procedura e ekstradimit.

Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre zvicerane, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe juridik.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Kosova.info/


Go to TOP