Ekstradohet nga Italia i dënuari për “Vrasje në tentativë”, me vendim për 20 muaj burgim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më datë 20.08.2025, rreth orës 20:15, është realizuar me sukses ekstradimi nga Italia në Kosovë i shtetasit F.Xh., 34 vjeç, nga fshati Mushtisht i Komunës së Suharekës, me qëndrim të përkohshëm në Itali.

Ekstradimi është kryer mbi bazën e urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I njëjti, me aktgjykim të plotfuqishëm të datës 16.02.2019, ishte dënuar me njëzet (20) muaj burg, mirëpo kishte shmangur vuajtjen e dënimit.

I ekstraduari është dorëzuar nga autoritetet italiane në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është pranuar nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor Suharekë, dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.

Policia e Kosovës ka falënderuar autoritetet italiane për bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar përkushtimin e saj në zbatimin e urdhër-arresteve dhe procedurave ligjore në funksion të drejtësisë dhe sigurisë publike. /Kosova.info/


Go to TOP