Ekipi i Radiotelevizionit të Portugalisë viziton Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë

Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë ka pritur sot ekipin e Radio Televizionit të Portugalisë, të cilët po realizojnë një material të posaçëm mbi suksesin e jashtëzakonshëm të xhudos kosovare. Gazetarët portugezë ndoqën nga afër stërvitjet në Kampin Ndërkombëtar Stërvitor që po zhvillohet aktualisht dhe intervistuan Kryemjeshtrin Driton Kuka.

Gjatë intervistës, Kuka foli për punën e tij shumëvjeçare me xhudistët e Kosovës, për historinë e arritjeve të këtij sporti dhe për ndërtimin e një prej ekipeve më të suksesshme në botë. Ai theksoi rëndësinë e disiplinës, përkushtimit dhe vizionit afatgjatë që ka bërë të mundur triumfet historike në arenën ndërkombëtare.

Gazetarët portugezë patën gjithashtu mundësinë të bisedojnë me Kampionen Olimpike Majlinda Kelmendi, sportisten që ka bërë histori duke i sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike. Takimi me të shtoi dimension të veçantë vizitës duke reflektuar rrugën dhe frymëzimin që xhudoja ka sjellë në vend.

Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe ekipi i Radio Televizionit të Kosovës, i cili ndoqi nga afër aktivitetet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që po forcohet përmes këtij kampi. /Kosova.info/


Go to TOP