Egzona Tërdevci, kandidate e VV-së për kryetare të Drenasit – Kurti konfirmon mbështetjen

Sot, në një takim të mbajtur me kryesinë e qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sekretarit organizativ Rama, koordinatorit të qendrave dhe deputetit Salih Zyba, u konfirmua zyrtarisht mbështetja për nominimin e Egzona Tërdevcit si kandidate për të parën e komunës.

Në këtë tubim, u theksua se zëri i fuqishëm opozitar i Egzona Tërdevcit do të jetë zëri i ndryshimit dhe alternativës për qeverisje të mirë dhe në shërbim të qytetarëve të Drenasit.

Fryma zhvillimore e investimeve të qeverisë qendrore në Drenas, e cila ka sjellë projekte konkrete për komunitetin lokal, pritet të thellohet dhe zgjerohet edhe më shumë përmes një qeverisjeje të re lokale me VETËVENDOSJE!-n në krye.

“Angazhimi ynë fillon sot – në çdo lagje e çdo fshat, pa ndalur, për fitoren që i duhet Drenasit dhe qytetarëve të tij”, u theksua në përmbyllje të takimit, ku u shprehën urime për të gjithë aktivistët dhe qytetarët.

Me këtë hap, VV hyn fuqishëm në garën për komunën e Drenasit, me synimin për t’i ofruar qytetarëve një model të ri, të ndershëm e zhvillimor të qeverisjes lokale. /Kosova.info/


Go to TOP