Ja për çka ankohen studentët e UP -së

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po e kundërshton mënyrën e përzgjedhjes së lëndëve zgjedhore në disa njësi akademike.
Në disa njësi akademike, numri i studentëve që mund të përzgjedhin një lëndë zgjedhore është përcaktuar në atë mënyrë që numri total i studentëve të një viti të cilët e kanë regjistruar këtë vit akademik është pjesëtuar me numrin e lëndëve zgjedhore të semestrit dimëror.
Sipas kësaj, studentët nuk mund ta zgjedhin lëndën zgjedhore të cilën dëshirojnë ta ndjekin përgjatë një semestri. Pra, tashmë nuk kemi të bëjmë me lëndë zgjedhore por me lëndë të imponuara.
Prandaj, marrë parasysh situatën e krijuar, si Parlament Studentor sot i jemi drejtuar dekanëve të të gjitha njësive akademike që kjo çështje të rregullohet sa më parë. Meqenëse e drejta është në anën tonë, ne besojmë që do të ketë reflektim nga ana e menaxhmenteve të fakulteteve dhe se kolegët tanë studentë do të jenë të lirë të përzgjedhin lëndët që dëshirojnë.

Go to TOP