Sveçla: Kosova e përkushtuar të shtyjë përpara iniciativat në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në takimin e ministrave përgjegjës për sigurinë e brendshme dhe migracionin në vendet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.

Këtë e ka bërë  të ditur përmes një statusi në Twitter.

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar të shtyjë përpara iniciativat në kuadër të Kornizës së Procesit të Berlinit në dobi të rajonit dhe më gjerë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migracionit të paligjshëm dhe terrorizmit mbetet prioritet për qeverinë tonë”, ka shkruar Sveçla.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, të enjten në kryeqytetin e Gjermanisë do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në atë iniciativë.

Të hënën do të mbahet takimi i ministrave të energjisë dhe të gjitha këto takime janë përgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 3 nëntor.

Procesi i Berlinit u iniciua nga Angela Merkel me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përgatitet më shpejt për anëtarësimin e mundshëm në BE përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Go to TOP