E dinit? Ekspozimi i tepërt i dritës artificiale gjatë natës mund të jetë shkaktar i diabetit

Ekspozimi i tepërt i dritës artificiale gjatë natës mund të jetë shkaktar i diabetit të tipit 2.

Më shumë se 80% e njerzve në botë janë të ekspozuar ndaj dritave të rrugëve, fenerët e makinave, dyqaneve apo bizneseve të ndryshme.

Sipas një studimi,  personat të cilët janë më të ekspozuar nga drita artificiale gjatë natës kanë nivel më të lartë të sheqerit në gjak, dhe reagojnë me vështirësi ndaj insulinës, e cila kontrollon sheqerin në gjak.

Në studimin e kryer në Kinë, ku morën pjesë më shumë se 98,600 persona u bë një ndarje në pesë grupe nga ata me ekspozimin më të lartë të dritës artificiale tek ata me ekspozimin më të ulët.

Grupi më i ekspozuar nga drita kishte një shkallë më të lartë të diabetit 28 për qind sesa grupi që ishte më pak i ekspozuar.

Ka të ngjarë të ketë qenë kryesisht diabeti i tipit 2, i cili përbën shumicën e rasteve të diabetit. Megjithatë, ekspertët thonë se nevojiten më shumë kërkime nëse kjo është me të vërtetë kështu.

Studimi, i udhëhequr nga akademikët në ‘Spitalin Ruijin’, i cili është i lidhur me ‘Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Shanghai Jiaotong’ në Kinë, përfundon: “Gjetjet tona kontribuojnë në provat në rritje se drita gjatë natës është e dëmshme për shëndetin, dhe tregojnë dritën e jashtme gjatë natës si një faktor i ri potencial rreziku për diabetin.”

Studimi, i botuar në revistën ‘Diabetologia’ përdori të dhëna satelitore të cilat matin nivelet e dritës artificiale, duke përjashtuar diellin dhe hënën.

Njerëzit në zonat me më shumë ekspozim ndaj dritës artificiale gjatë natës kishin funksion më të dobët të qelizave beta.

Qelizat beta në pankreas janë të rëndësishme dhe duhet të funksionojnë mirë për të prodhuar insulinë dhe për të kontrolluar sheqerin në gjak.

Go to TOP