Dyshohet për shpërthim me shok bombë në Kroin e Vitakut
Një shpërthim me shok bombë dyshohet të ketë ndodhur sot në orët e pasdites në lagjen “Kroi i Vitakut”.
Policia në një përgjigje për Klankosova.tv bën të ditur se nuk ka dëme materiale apo të lënduar.
Në përgjigjen e organeve të rendit tutje thuhet se njësitet relevante kanë dal në vendin e ngjarjes.
“Policia e Kosovës, përmes njësiteve policore të rendit publik, më 20.12.2022 ka pranuar informacione se në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë veri, në orët e pasdites është dëgjuar një shpërthim. Njësitet relevante policore kanë dal në atë lokacion, nga ky dyshohet se është dëgjuar shpërthimi, i cili dyshohet se të jetë shkaktuar nga ndonjë mjet shpërthyes (shok bombë), por që deri tani nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëmtim. Policia është duke vazhduar me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore”, thuhet në përgjigjen e policisë për Klankosova.tv.
Situata e sigurisë në veri është e tensionuar që disa ditë.
Që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbët ngritën barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1 mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Beogradi ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, gjatë javës së shkuar ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës.
Ky veprim i KFOR-it u bë për të monitoruar nga afër situatën e cila javëve të fundit ka qenë e tensionuar.
