Dy gjoba në vlerë 800 euro ndaj shoferit në Ferizaj brenda disa minutash, iu konfiskua edhe vetura

Policia në Ferizaj ia ka shqiptuar një personi dy gjoba pasi i njëjti thuhet se brenda disa minutave ka shkaktuar dy kundërvajtje në komunikacion.

Sipas policisë, këtë të mërkure rreth orës 04:50 në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Prelez i Jerlive, e kanë ndaluar shoferin H.R., të moshës 24-vjeçare, i cili ishte duke vozitur 145 km/h në zonë 60 km/h.

“Ndërsa gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe testimit me alkooltest ka rezultuar që kishte konsumuar edhe alkool 0.36 promila. Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor, me dënim 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentë shoferit për 3 muaj dhe është përjashtuar nga komunikacioni”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa, policia bëri të ditur se disa minuta më vonë, shoferi i njëjtë në fshatin PRelez i Muhaxherëve është ndaluar me shpejtësi 140 km/h, ku iu shqiptua gjobë prej 500 euro dhe i është konfiskuar vetura.

“Mirëpo, disa minuta më vonë shoferi i njëjtë H.R në fshatin Prelez i Muhaxherëve është ndaluar me shpejtësi 140 km/h, tani nën masën mbrojtëse, heqja e patentë shoferit dhe ndaj tij policët i kanë shqiptuar gjobën e dytë me dënim 500 euro, 5 pikë negative dhe 6 muaj heqje të patentë shoferit dhe i është konfiskuar vetura”, thuhet në njoftim.

Go to TOP