Dushi: Zhvillimi urban dhe ruajtja e trashëgimisë në kryeqytet duhet të ecin së bashku
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka theksuar se zhvillimi urban i Kryeqytetit dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por përkundrazi, mund dhe duhet të ecin paralelisht.
“Zhvillimi urban i Kryeqytetit dhe ruajtja e trashëgimisë nuk janë të kundërta – ato mund dhe duhet të ecin krah për krah, me transparencë dhe respekt të ndërsjellë institucional,” ka deklaruar Dushi.
Ai ka kritikuar bllokimin e disa projekteve të rëndësishme për Kryeqytetin duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm jo vetëm për institucionet, por sidomos për qytetarët, të cilët presin përmirësim të hapësirave publike dhe kushteve të jetesës urbane.
Sipas tij, arsye të improvizuara për bllokimin e projekteve vetëm sa e vonojnë progresin dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të banorëve të Prishtinës. Ai ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim institucional dhe përparësi ndaj interesit publik. /Kosova.info/
