Durmishi: Sanimi i gjendjes emergjente ka ndodhur me sukses

Zëvendësministri i i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se sanimi i gjendjes emergjente ka ndodhur me sukses, janë vendosur gypat që të mos ketë ndërprerje të rrjedhës së ujit që është shumë e rëndësishme dhe për KEK-un edhe për furnizimin me ujë të qytetarëve.

“Jemi këtu bashkë me kryeshefin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenci’, Faruk Mujka, me ministrat, me ekipin e inxhinierëve, për ta diskutuar zgjidhjen e përhershme të këtij problemi, pra sanimin e përhershëm  të kësaj gjendjeje”, tha Durmishi para gazetarëve.

Durmishi tutje tha se janë duke diskutuar për format e sanimit të gjendjes së tanishme në mënyrë që të rregullohet komplet kanali dhe të gjendet një zgjidhje e përhershme dhe të mos ketë më probleme të tilla në furnizim me ujë.

“Jemi duke diskutuar format se si duhet bërë kjo, pasi që dëmtimi është shumë i madh dhe nuk mund të ndërpritet rrjedha e  ujit, duhet ta bëjmë një bay-pas që do të fillojnë punimet menjëherë, në mënyrë që, pastaj, ta rregullojnë komplet kanalin, që të jetë zgjidhje e përhershme dhe të mos kenë probleme me furnizim me ujë dhe të mos ketë më probleme të tilla”, tha Durmishi.

Sanohet kanali në Varagë, policia po qëndron në vendin ku ndodhi sulmi

Kanali i Ibër-Lepencit ku ka ndodhur shpërthimi është sanuar për të ndalur rrjedhën e ujit përtej.

Policia e Kosovës janë duke qëndruar në fshatin Varagë ku ka ndodhur sulmi të premten. Rrugëve të veriut te dielën shihen edhe KFOR-i amerikan që po monitorojnë situatën nga afër.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Infrastruktrurës, Hysen Durmishi kanë dalë në vendin e ngjarjes tek kanali i Ibër-Lepencit.

Go to TOP