Duka e sheh organizimin bashkë me Serbinë rast në funksion të së ardhmes
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se organizimi i përbashkët i Kampionatit Europian U-21 i vitit 2027 nga Shqipëria dhe Serbia do të shërbejë si një mundësi për të thyer barrierat, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e dy vendeve.
UEFA ka zyrtarizuar vendet organizatore të Evropianit për moshat deri në 21 vjeç të vitit 2027-të. Ashtu siç pritej Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku këtë garë, e cila mbahet çdo dy vite.
Duka e ka cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se Kampionati Europian U-21 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. “Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, ka thënë Duka.
Përveç aspekteve diplomatike, ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e këtij eventi për zhvillimin e sportit në Shqipëri. “Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin”, ka shtuar Duka, duke theksuar se ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet.
