Dua të jem i lumtur

“Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.” (Mt 25, 40; Mk 9, 37; Lk 10, 16)

“Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët, por edhe për ne, është flaka e dashurisë në ndezje. Gëzimi është uratë, gëzimi është fuqi, gëzimi është dashuri në veprim.” (Nëna Tereze)

Dëshira dhe nevoja për lumturi është dukuri e përbashkët dhe themelore, për çdo njeri. Njerëzit e shprehin këtë dëshirë në forma të ndryshme: për shumë mot Kërshëndellat, Viti i Ri, Pashkët, ditëlindja, dita e emrit…, duke mos gjetur fjalë më të përshtatshme për ta shprehur urimin, dëshirën e mirë, prapë kthehemi në shprehje që i kemi mësuar qysh në fëmijëri: urimi, përgëzime, me fat… Në çaste më të bukura të jetës apo të punës sonë, me fjalë të zgjedhura, njëri-tjetrit ia shprehim gëzimin, urimin, përgëzimin dëshirën për fat, lumturi: sukses, kalosh mirë, gëzim dhe hare, shëndet dhe dashuri…!

Fati, lumturia, të jesh i gëzuar dhe lumtur, të kesh sukses, është dëshira e çdo njeriu. Njerëzit shpesh thonë kështu: është më mirë të jesh i lumtur se i pasur. Pasuria më e madhe është lumturia. I lumi ti! Pa lumturi, siç duket, jeta nuk ka shije dhe kuptim.

Sot, një pjesë e njerëzve përcjellin horoskopin, për ta zbuluar të ardhmen, mundësisht për të qenë të lumtur. Prandaj, shpesh pyetemi: si është e mundur të jemi të lumtur? Edhe më qartë: çka është lumturia? Si mund ta kemi atë dhe ta ruajmë sa më gjatë? Kur jemi të lumtur, të qetë, të hareshëm, plot jetë, vrull, plane, dëshira, fill në ne lindë pyetja dhe mendimi: sa do të jetë kështu? A do të zgjasë lumturia? Si do të jetë e nesërmja, e ardhmja, jeta, puna, familja, shoqëria?

Një gjë është e qartë: nuk mund të jemi të lumtur duke u mbyllë në vete, në ikje apo braktisje të tjerëve, të vetvetes. Për këtë arsye, duhet përballuar veten, të tjerët, kohën dhe hapësirat me sinqeritet, guxim dhe optimizëm rreth disa pyetjeve themelore:

Kush jam unë si njeri, krijesë, qenie shoqërore, kulturore, kombëtare, fetare?

Çka dua unë prej jetës, punës, tjerëve, prej vetvetes?

Çka pres unë prej Zotit, fesë time, Kishës?

Kush jam unë për vete dhe për të tjerët? Çka duan, presin, dëshirojnë tjerët prej meje, prej nesh?

Binari i jetës tonë dhe punës është gjithmonë ky: unë – tjerët, unë – Zoti im, dhe nëse këtu nuk e gjejmë drejtpeshimin e mirëfilltë: harmoninë, dialogun, përplotësimin, dashurinë, atëherë jemi “lypsa” të lumturisë dhe dashurisë, atë herë pas here e “vjedhim”, por pa sukses.

Jeta na mëson dhe dëshmon se mund të jemi të lumtur, vetëm afër dhe me të tjerët, për të tjerët, pra, kur jetojmë dhe punojmë, flijohemi dhe dhurohemi, i duam të tjerët dhe ata na duan ne.

Fatkeqësisht, egoizmi shpesh është burim i së keqes, fuqi rrënuese për ne dhe për të tjerët, kur me çdo kusht dëshirojmë t’i sundojmë të tjerët, të “shërbehemi” me ta, t’i bëjmë “mjete” për ne dhe për lumturinë tonë.

Kështu “investojmë” shumë, ndoshta edhe tërë jetën tonë në kërkimin e kotë dhe të pamundur të lumturisë së përkohshme dhe të gabuar, që më vonë na “kushton”, krijon pakënaqësi, zbrazëti, huti dhe dëshpërim.

Njeriu i cili me çdo kusht dhe në çdo vend kërkon vetveten, nuk e gjen as veten, edhe më pak të tjerët, është një i “tretur”, skllav i kënaqësive të vogla dhe të përkohshme, por i zbrazët dhe me pak vlera dhe virtyte.

Jeta e tillë shkon hap pas hapi dhe ka ndikim edhe në sferën shpirtërore dhe fetare: edhe lidhja me Zotin është aty-këtu, pa ndonjë rregullsi, vazhdimësi, rritje. Jeta shndërrohet në një “lojë të rrezikshme” të ngjarjeve, rrethanave, njerëzve, pa ndonjë plan, qëllim, synim, projekt, por gati është “lojë e rasteve.”

Shumë njerëz, edhe pas dështimeve të shumta në jetë, pas hapave dhe vendimeve të gabuara, vazhdojnë të ecin nëpër rrugët “e rastit”, pa pasur vetëdije: kush jam unë, çka dua, dhe si të realizohem, të jem i lumtur? Disa vazhdimisht ankohen dhe thonë: pse unë nuk jam i lumtur, pse ma ka kthye shpinën fati, jeta, Zoti? Pse të tjerët më pengojnë, urrejnë, nuk më duan? Pse edhe Zoti “është i padrejtë” me mua…?

Përgjigja në pyetje të tilla dhe të ngjashme, është shumë e thjeshtë: deri sa njeriu me çdo kusht do të kërkojë vetëm vetveten dhe lumturinë, pa apo edhe kundër të tjerëve, Tjetrit – Zotit, do të jetë gjithnjë në harkun e mbyllur të pakënaqësisë dhe egoizmit.

Lumturia është një proces i gjatë, me zhvillime shkallore, me mirësi, dashuri, flijim, dhurim, altruizëm, jetë të hapur dhe të drejtuar kah Zoti dhe të afërmit. Lumturia e vërtetë është njohja, pranimi, jetësimi i vullnetit të Zotit, duke jetuar në harmoni të plotë me Të dhe me të afërmin, që me fjalë tjera mund ta themi edhe kështu: të jemi njerëz të Zotit dhe njerëz të njerëzve.

Nëse e tërë energjia jonë e brendshme do të kishte këtë drejtim dhe orientim, atëherë do të ishim shumë më të sigurt, edhe në kërkimin dhe plotësimin e lumturisë në jetën e përditshme, e cila, siç dihet, është kombinim dritë – terr, sukses – mossukses, ecje – ndalje, por gjithmonë plotë me dashuri, flijim dhe lumturi.

Lumturia e vërtetë është në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar me dashuri dhe në dashuri, në ecje të sigurt, edhe pse tejet të vështirë, kah… në dorëzim me besim bijësor në duar të Zotit, në përqafim vëllazëror.

Pranimi i vetvetes, me kufizime dhe mangësi, është hapi i parë në të tashme dhe në të ardhme, që përfundimisht domethënë të kemi besim në Zotin dhe planin e tij për ne, apo siç thotë vetë Jezusi të jemi “si fëmijë” (krhs. Lk 18, 17; Mt 19, 14; Mk 10, 16).

Kjo është pjekuria e fesë dhe jetës fetare. Pas pranimit të vetvetes, duhet po ashtu t’i pranojmë edhe të tjerët, duke i nderuar, bashkëpunuar, jetuar me ta dhe për ata, jo më për ndonjë interes, fitim dhe përfitim, “vegëlsim”, por për një gjë themelore: të tjerët i ka krijuar Zoti me dashuri dhe për dashuri! Kjo bindje dhe përcaktim krijojnë në ne ndjenjën e vëllazërisë në fe, të shpresës në bashkëjetesë dhe bashkëveprim, të dashurisë në flijim dhe dhurim të ndërsjellët për të mirën dhe lumturinë e përbashkët.

Me fe, tjetri nuk është më vetëm krijesë, por vëlla – motër, bir apo bijë e Zotit, edhe më tepër: Tjetri është për ne vetë Jezu Krishti, sipas mësimit dhe qëndrimit të tij. “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.” (Mt 25, 40)

Nëse duam të shkojmë deri në fund: atëherë të tjerët janë për ne vetë Zotëria që na mundëson takimin, që kërkon prej nesh shërbim, dhurim, dashuri, i cili “fshihet” në trajta të njerëzve të rëndomtë, por na jep mundësi që ta njohim, ta duam dhe ta shërbejmë Atë në të tjerët. Kjo është lumturia, gëzimi, hareja e pashtershme e jetës dhe veprimit të krishterë.

është rrjeti i dashurisë ku mund të “peshkohen” shpirtrat e njerëzve. Zoti e do njeriun që dhurohet me gëzim. Mënyra më e mirë për ta treguar falënderimin tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit është ta pranojmë shoqi-shoqin me gëzim… Të jemi të lumtur me Zotin domethënë: të duam si na do Ai ne, të ndihmojmë si na ndihmon Ai ne, të shërbejmë si na shërben Ai ne… Në lëvizje tuaja shpërndani gëzim që jeni të Zotit, që jetoni për Zotin, që e doni Zotin në të afërmin… Që të mund të jemi të lumtur dhe ta shpërndajmë atë edhe të tjerëve, duhet shumë pak, çdo ditë të kërkoni ta bëni vullnetin e Zotit, sepse bota ka uri për Zotin dhe për dashurinë e tij; lutja në vazhdimësi, të dimë të duam dhe të falim… Ne, me paduresë e presim parajsën, ku është Zoti, por kemi mundësi qysh tash të jemi në parajsë, prej këtij çasti: duke dashur dhe flijuar për Zotin dhe për të afërmin në vuajtje.” (Nëna Tereze)

“Në të vërtetë, Fjala e Hyjit, nëpërmjet të cilës gjithçka është krijuar, është bërë edhe vetë njeri, për të kryer, ai, njeriu i përsosur, shpëtimin e të gjithëve dhe përmbledhjen e gjithëmbarshme. Zoti është qëllimi i historisë njerëzore, “pika qendrore e dëshirave të historisë dhe të qytetërimit”, qendra e gjinisë njerëzore, gëzimi i çdo zemre, plotësia e aspiratave të tyre.” (GS 45)

Lumturia është nevoja e çdo njeriu. Të kërkojmë të jemi të lumtur, ta njohim lumturinë e vërtetë, t’i bëjmë edhe tjerët të lumtur, pjesëmarrës të lumturisë tonë. Të jetosh kështu, është bukur. Të duash kështu, ka çmim të lartë. Të punosh kështu, është e dobishme për të gjithë. Duhet kaq pak për të qenë të lumtur dhe për t’i bërë edhe të tjerët të lumtur: një buzëqeshje, shtrirje dore, përqafim, fjalë dhe vepër e mirë…

“Sot bota ka uri për gëzim që vjen nga zemra e pastërt, sepse ata e shohin Zotin… Buzëqeshja kushton pak e dhuron shumë… Gëzimin ndriçon ne sytë tuaj dhe në fytyrë. Kur njerëzit do ta shohin gëzimin në sy tuaj, do ta zbulojnë Zotin në ju.” (Nëna Tereze)

Prishtinë, 10 maj 2023 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI

Go to TOP