Drita e Gjilanit mbron titullin e kampionit në Superligën e femrave, Liria ndjek Lidhjen e Prizrenit te meshkujt
Të shtunën është zhvilluar java e fundit e garave ekipore në Superligën e Kosovës në pingpong, ku Drita e Gjilanit konfirmoi edhe një herë dominimin e saj në konkurrencën e femrave.
Skuadra gjilanase arriti ta mbrojë titullin e kampionit duke fituar me rezultat bindës 4:1 ndaj rivalit kryesor, Prishtinës, në ndeshjen vendimtare për kreun e tabelës. Me këtë fitore, Drita e mbylli sezonin si kampione e Kosovës për të dytin vit radhazi.

Prishtina u rendit në vendin e dytë, ndërsa Ahmet Hoxha zuri vendin e tretë. Këto tri ekipe e dominuan Superligën gjatë gjithë sezonit, ndërsa Gjilani F, që debutoi këtë vit në elitë, u rendit në mesin e tabelës. Ndërkohë, skuadrat Juniku dhe Shpresa nuk arritën ta ruajnë statusin në Superligë dhe do të garojnë në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm.

Në konkurrencën e meshkujve, Liria e Prizrenit arriti fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Pripingut me rezultat 4:2 duke mbetur ndjekësi i vetëm i liderit Lidhja e Prizrenit në garën për titull.
Në derbin për pozitën e gjashtë, Shkolla Prizreni mposhti Vushtrrinë me rezultat të ngushtë 4:3 duke e futur ekipin vushtrrias në pozitë të vështirë për ta ruajtur statusin në Superligë.
Superliga e këtij sezoni u karakterizua nga ndeshje të forta, rivalitet i lartë dhe rritje e nivelit garues në të dy konkurrencat. /Kosova.info/
