Drita dominon derbin dhe forcon pozitën në krye të tabelës
Drita ka shënuar një fitore të thellë ndaj Gjilanit në derbin e javës së 26-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke triumfuar me rezultat bindës 4:0.
Të katër golat u realizuan në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës së drejtuar nga Ardian Nuhiu një fitore të rëndësishme në garën për titull.
Serinë e golave e hapi Almir Ajzeraj në minutën e 12-të, duke konkretizuar dominimin e hershëm të Dritës. Vetëm pesë minuta më vonë, kapiteni Rron Broja dyfishoi epërsinë. Në minutën e 24-t, Arb Manaj shënoi golin e tretë, ndërsa për 4:0 realizoi ukrainasi Denys Kostyshyn në minutën e 43-të, duke vulosur fatin e ndeshjes që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Drita kontrolloi lojën dhe kishte mundësi për të shtuar epërsinë. Në minutat e fundit të takimit, Albert Dabiqaj realizoi një gol, por pas rishikimit me VAR, ai u anulua. Në minutën e 93-të, Drita mbeti me një lojtar më pak, pasi Blerton Sheji u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër.
Me këtë fitore, Drita forcon pozitën e parë në tabelë me 57 pikë, duke bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit. Ndërkohë, Gjilani mbetet në pozitën e katërt me 35 pikë.
