Dreshaj: Ngërçi politik po i kushton Kosovës miliona euro dhe po rrezikon fondet e BE-së
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), Besart Dreshaj, ka paralajmëruar se kriza institucionale në vend po i shkakton Kosovës humbje të mëdha financiare dhe po e rrezikon seriozisht përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Nga Plani i Rritjes së BE-së, Kosovës i takojnë 880 milionë euro, prej të cilave mbi 60 milionë euro do të duhej të siguroheshin si parafinancim. Këto mjete, sipas Dreshajt, janë jetike për realizimin e projekteve kapitale, për reforma strukturore dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Megjithatë, vonesat në ratifikimin e marrëveshjes me Komisionin Evropian dhe mungesa e institucioneve funksionale kanë bllokuar këtë proces duke e lënë Kosovën pas në raport me vendet e rajonit.
“Mungesa e një Kuvendi funksional dhe e një Qeverie me mandat të plotë po pengon jo vetëm fondet ndërkombëtare, por edhe zbatimin e projekteve buxhetore dhe ardhjen e investimeve të huaja. Nëse ky ngërç vazhdon, Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm fonde, por edhe mundësinë për zhvillim ekonomik e përmirësim të jetës së qytetarëve”, tha Dreshaj.
LBK thekson se bllokimi i fondeve evropiane dhe moszbatimi i projekteve të parapara në buxhet po rëndojnë bizneset dhe qytetarët, të cilët tashmë po e bartin barrën e kësaj krize.
Për këtë arsye, organizata bën thirrje për konsensus politik dhe veprime të menjëhershme. “Kosova ka nevojë urgjentisht për institucione funksionale, Kuvend dhe Qeveri fuqiplote, që të marrin vendime, të zbatojnë reformat dhe të thithin investimet e huaja. Çdo ditë pa institucione funksionale është një ditë humbjeje për ekonominë, bizneset dhe qytetarët,” përfundoi Dreshaj. /Kosova.info/
