Drejtori te Shakhtar Donetsk kundër rikthimit në gara të klubeve ruse
Serhii Palkin, Drejtor Ekzekutiv i klubit ukrainas Shakhtar Donetsk, ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, pas deklaratës së tij për mundësinë që skuadrat ruse të rikthehen në kompeticionet ndërkombëtare.
Palkin e ka quajtur qëndrimin e presidentit të FIFA-s si një “shkëputje totale nga realiteti”.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, klubet dhe kombëtarja ruse janë pezulluar nga FIFA dhe UEFA. Por Infantino ka dhënë shenja për ndryshim qëndrimi.
“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë; ai vetëm ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje. Të lejohet që vajzat dhe djemtë nga Rusia të luajnë ndeshje futbolli në pjesë të tjera të Europës do të ndihmonte”, ka thënë ai.
Palkin ka reaguar duke e ftuar presidentin e FIFA-s të vizitojë Ukrainën për të parë realitetin e luftës. “Realiteti është ky: ne po mbijetojmë një luftë të plotë për katër vjet. Qindra mijëra njerëz janë vrarë. Qytete janë shkatërruar. Infrastrukturat civile, sportive dhe energjetike janë rrënuar. Jetët e miliona njerëzve janë shkatërruar”, ka thënë ai. “E ftoj z. Infantino të vijë të shohë si jetojnë njerëzit këtu. Si luajnë fëmijët futboll në Kharkiv, Zaporizhzhia, Dnipro, Kyiv dhe Lviv, nën sirenat e sulmeve ajrore dhe pranë strehimeve. Të marrë pjesë në ndeshjen tonë të parë në shkurt dhe të flasë me lojtarët tanë, si Dmytro Riznyk dhe Denys Tvardovskyi, që kanë humbur familjarë në luftë”.
