Doyle: Dëshmitari 1 u frikësua që ta tërheqë dëshminë ndaj Selimit

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë se më 8 korrik janë konfirmuar ndryshimet në aktakuzën e përbashkët ndaj Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit.

Sipas Doylet, ndryshimi kryesor lidhet me shtimin e akuzave kundër Januzit dhe Bahtijarit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

“Ndryshimi kryesore i konfirmuar shton në akuzat kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari akuzën e frikësimit përmes premtimit ose dhuratës, siç përkufizohet në Kodin Penal të Kosovës. Gjykatësja e Procedurës Paraprake konstatoi se materialet mbështetëse tregonin se gjatë kontaktimit të dytë të një dëshmitari më 12 prill 2023. z. Januzi përmendi dëshminë e dëshmitarit dhe shpjegoi se, sipas Haxhi Shalës, dëshmitari ishte dëshmitar kundër Rexhep Selimit. Sipas materialit mbështetës, Januzi përcolli një mesazh nga z. Shala, gjegjësisht se, në qoftë se ekzistonte mundësia që dëshmitari të pajtohej të tërhiqte dëshminë e tij kundër z. Selimi, atëherë z. Shala dhe të tjerë “ishin të gatshëm t’i përmbushin çfarëdo nevoje [dëshmitarit 1]” ose e thënë ndryshe, “ai [dëshmitari 1] na ndihmon ne dhe ne [z. Shala dhe të tjerë] ndihmojmë atë”, tha ai sot në informimin javor sot për gazetarë.

Ai tha se sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të DhSK-së, nëse aktakuza e ndryshuar përfshin akuza të reja, atëherë i akuzuari duhet të dalë përsëri para gjykatësit për paraqitje vijuese, meqë pretendimet e reja faktike ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës edhe më parë, prania e tij në seancë nuk nevojitet.

“Rrjedhimisht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ka caktuar seancë për paraqitjen vijuese të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, për këtë të premte, 12 korrik në orën 09:30. Seanca do të jetë publike”, tha ai.

Go to TOP