Doris Pack do të shpallet qytetare nderi e Podujevës

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, po qëndron në komunën e Podujevës. Ajo u prit nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Pas takimit, Bulliqi deklaroi se në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Podujevës Doris Pack po nderon këtë komunë dhe Kosovën me praninë e saj.

“Një punëtore e vyer, një eurodeputete e që ka bërë shumë për Kosovën dhe shqiptarët, dhe kënaqësia më e madhe është se tashmë komuna e Podujevës, ka marrë vendim që ta shpall qytetare nderi të komunës sonë dhe besoj se nga 19 qershori, Doris Pack, do të jetë banore më e re të komunës sonë”, tha Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës

Ndërsa, ish eurodeputetja Doris Pack, u shpreh se është e lumtur që po viziton komunën e Podujevës.

“Kam kënaqësinë që jam në Podujevë, sepse me Podujevën kam lidhje të veçantë për shkak se këtu e kam kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh nën regjimin e aparteidit. Po ashtu kam kënaqësinë që u ktheva këtu, dhe dua të them se presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, ka qenë lider i cili ishte i njohur për paqen e tij, por Kosovës, i është dashur të shpërthejë me protesta për ta ndërkombëtarizuar çështjen e saj, dhe kjo u bë falë studentëve, dhe gjithçka kishte filluar në Podujevë”, tha ajo, raporton RTKlive.

Ish-eurodeputetja Pack do të qëndrojë tri ditë dhe do të ketë takime me këshilltarë komunalë, gratë e Podujevës, me ish-të burgosurit politikë të Llapit dhe personalitete te tjera të kësaj komune. Doris Pack do të shpallet edhe qytetare nderi e kësaj komune.

Go to TOP