Dogana e Kosovës zbulon veprimtari të paligjshme nga tri lokacione

Dogana e Kosovës ka njoftuar se brena një jave, ka realizuar me sukses disa operacione kontrolli në tri lokacione të ndryshme në Kosovë, duke zbuluar aktiviteteve të ndryshme kriminale.

Rasti i parë, sipas doganës, ka ndodhur në Fushë- Kosovë.

“Pas një pune operative intensive, dogana ka organizuar një kontroll në një subjekt në Fushë Kosovë. Gjatë këtij kontrolli, është zbuluar një hapësirë për prodhimin/falsifikimin e mallrave dhe mallra pa prejardhje të qartë. Konkretisht, janë sekuestruar: 9,560 copë maica për të rritur me marka të ndryshme; 4,300 copë etiketa letre me mbishkrimin e firmave të njohura; Disa makina qepje”, njofton Dogana e Kosovës.

Lidhur me këtë rast, është njoftuar menjëherë Prokuroria, ndërsa pas intervistimit të palës së përfshirë, thuhet se janë ngritur kallëzime penale për: Tregti të ndaluar, Prodhim të paautorizuar si dhe mashtrim të konsumatorëve.

Rasti i dytë, sipas doganës ka ndodhur në Mitrovicë, në një subjekt që merrej me shitjen e automjeteve të përdorura.

“Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar 37 automjete të ndryshme të pazhdoganuara, të cilat subjekti kishte për qëllim t’i përdorte për pjesë këmbimi. Automjetet janë dërguar për verifikim për të parë nëse janë të kërkuara, dhe pas përfundimit të kësaj procedure, rasti do të trajtohet më tej në koordinim me Prokurorinë”, njofton Dogana.

Rasti i tretë, nderka ka ndodhur në Gjilan, ku Doganës së Kosovës kanë zbuluar dhe sekuestruar mall pa dokumentacion, i cili dyshohet se është kontrabanduar në Kosovë.

“Malli i sekuestruar përfshin: 10 copë helmeta të ndryshme për motoçikleta, të reja; 16 copë goma të ndryshme për motoçikleta, të reja; 3 copë maska ballore për motoçikleta Yamaha Nmax, të përdorura”, thuhet në njoftim.

Ndaj palës, thuhet se janë iniciuar procedurat kundërvajtëse. Dogana e Kosovës siç thuhet në njoftim, mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe kontrabandës, duke siguruar integritetin dhe sigurinë e tregut. /Kosova.info/

Go to TOP