“Djokovic më i miri në histori? Prisni, Nadal nuk është tërhequr ende”, Federer në krah të spanjollit
Në botën e tenisit është më aktual se kurrë debati se cili është lojtari më i mirë në histori. Gjithçka nisi pasi Novak Djokovic triumfoi në Paris, në Grand Slamin e Roland Garros duke koleksionuar trofeun numër 23 në karrierë. Serbi u shndërrua në lojtarin më të titulluar duke lënë pas Rafael Nadal me 22, ndërsa Roger Federer është me 20 dhe i tërhequr nga sporti.
Ndërkohë, i pyetur nëse Djokovic është më i miri në histori, Federer theksoi se ai është një ndër më të mirët, por për të vendosur më të mirin në histori duhet pritur ende pasi Nadal ende nuk është tërhequr.
“Kush është më i miri në historinë e tenisit? Nuk e di. Është një pyetje e vështirë sepse Boris Becker e ka fituar Wimbledon-in në moshën 17-vjeçare, ndërsa Djokovic fitoi Roland Garros në moshën 36-vjeçare.
Nuk e di cila prej tyre është arritje më e madhe. Ajo që ka realizuar Djokovic është patjetër diçka madhështore dhe mund të mjaftojë për ta konsideruar si më të mirin. Por, Rafa nuk është tërhequr akoma dhe përsa kohë ai është një lojtar aktiv, nuk mund të flasim për një përgjigje konkrete”, u shpreh Federer.
