Djegia e flamurit në Beograd, KOK: Kërkojmë sqarime dhe masa nga UEFA

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë për veprimin e papranueshëm të heqjes dhe djegies së flamurit të Kosovës gjatë Kongresit të UEFA-s në Beograd. Kjo ngjarje ka ndodhur kur flamuri i Kosovës, i vendosur mes flamujve të shteteve të tjera, u mor nga huliganët dhe u dogj para ambienteve ku po mbahej Kongresi.

“Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj simboleve shtetërore të Kosovës dhe vlerave themelore të sportit, të cilat përfshijnë respektin, barazinë dhe përfshirjen,” tha Komiteti Olimpik i Kosovës.

Po ashtu, KOK ka kërkuar sqarime nga UEFA për incidentin dhe kërkon që organizatorët të marrin masa ndaj atyre që ishin përgjegjës për heqjen dhe djegien e flamurit. “Kosova meriton trajtim me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht vendit mikpritës,” shtoi KOK. /Kosova.info/


Go to TOP