Diplomati shqiptar: Vihet re një ngërç në marrëdhëniet Kosovë – ShBA

Diplomati nga Shqipëria Arben Çejku ka thënë se është e dukshme se marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë pësuar një ngërç, duke i komentuar deklaratat e dala në media nga ambasadori i Kosovës atje.

Ai këtu ka përmendur faktin që për çështje si Asociacioni, është përmendur mundësia e diskutimit të saj me partnerë.

“Natyrisht, vihet re një ngërç në këtë marrëdhënie mes Qeverisë së Kosovës dhe ShBA dhe kjo mund të jetë e kuptueshme. ShBA nuk tërhiqen nga projekti i një Kosovë demokratike dhe nga ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

“Por është e pazakontë që paralel me bisedimet që zhvillojne me këtë Qeveri, ShBA-ja paralajmëron mundësi aktivizimi të faktorëve të tjerë paralel me Qeverinë. Kjo nuk duhej të ishte sepse Qeveria e Kosvoës është e popullit të Kosovës dhe i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar këtë krizë”, ka thënë Çejku.

Tutje diplomati ka thënë që duhet pasur kujdes në rrezikimin e “moralit politik”.

“Qeveria duhet të ketë kujdes në ruajtjen e një ekuilibri se deri ku mund të përdoret apo deri ku mund të rrezikohet morali politik i forcës që qeveris dhe deri ku dëmtohen interesat e Kosovës sepse nuk është mirë që të tërhiqet kaq shumë energji”.

“Në fund të fundit Kosova është një shtet palë në marrëveshje me BE-në apo Shtetet e Bashkuara dhe për çdo kryeminstër dhe Qeveri kur nënshkruan, duhet menduar që nënshkruan edhe me pasardhësit e vet”, ka thënë ai,

Tutje ka shtuar se në politikë nuk duhet lejuar gabime.

“Pra nuk duhen lejuar gabime dhe çdo gabim e lëshim që bëhet është për t’u solidarizuar me të dhe duhet mbajt përgjegjësia dhe ja si vjen puna sot: Kur është nënshkru marrëveshja kanë qenë rrethana kaq të tjera dhe tash jemi në rrethana, faktorë të tjerë”, ka shtuar ai.

Go to TOP